Haradinaj: Lista e masave të reja ndaj Serbisë, e gatshme

Aktuale December 11, 2018 - 15:27
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ta vendosur taksën 100 përqind ndaj produkteve serbe, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria tashmë ka të gatshme edhe masat e tjera për t’ia vendosur Serbisë, raporton Zeri.info.

Por,siç ka bërë të ditur Haradinaj, këto masa do të vendosen vetëm në rast se Serbia vazhdon të mos i ndalë veprimet agresive ndaj Republikës së Kosovës.

Në një konferencë për media, shefi i ekzekutivit tha se qeveria i ka tashmë të identifikuara këto masa dhe të gatshme për vendim.

“I kemi të identifikuara të gjitha veprimet potenciale që do të mund t’i ndërmarrim, i kemi të gatshme. Mirëpo masa e taksës 100 përqind mendoj që është një efekt i respektueshëm, për të mos thënë i madh. Nuk do të shkonim në hapa të tjerë, nuk do të ndryshonte shumë efekti i kësaj, por do të shkonim me këto masa në rast se Serbia vazhdon agresionin e vet siç ka vepruar në të kaluarën”, ka deklaruar ai.

Kreu i ekzekutivit më tej, ka thënë se arrestimi nga autoritetet serbe i deputetit të SLS-së, Sllobodan Petroviq, është një akt i papranueshëm.

“Është e papranueshme që të arrestohet një deputet si është rasti i Petroviq, kjo është praktikë e shteteve policore, e shteteve diktatoriale. Duhet të ndalen veprimet agresive. Nëse Serbia vazhdon veprimet agresive atëherë ne e kemi një listë të këtyre masave. Të gjitha janë të identiaifkuara, të gatshme për vendim”, ka nënvizuar kryetari i qeverisë./Zeri