Nisma për ekipin negociator, drejt dështimit

Nisma për ekipin negociator, drejt dështimit

Aktuale dhjetor 11, 2018 - 08:08
Lexo Detajet
Image

Iniciativa e Partisë Socialdemokrate për formimin e ekipit negociator për dialogun me Serbinë po shkon drejt dështimit pasi përveç kundërshtimit nga dy partitë më të mëdha opozitare në vend, LDK-ja e Vetëvendosja, kjo nismë nuk po përkrahet as nga partneri i madh i koalicionit PDK-ja, shkruan sot Gazeta "Zëri".              

Për të disatën herë me radhë, gjatë javës së kaluar, partitë politike edhe një herë tentuan që ta harmonizonin një rezolutë për dialogun me Serbinë. Megjithëkëtë, seanca ku pritej të votohej projektrezoluta e Partisë Socialdemokrate, e Nismës dhe e Alternativës nuk ishte mbajtur ditën që ishte caktuar.

Lexo edhe Veriu, në vakum institucional
Aktuale dhjetor 11, 2018

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se kjo projektrezolutë nuk ishte hedhur në votim  pasi me “urdhrin” e presidentit Hashim Thaçi Partia Demokratike e Kosovës nuk ia kishte dhënë mbështetjen e saj. Kjo pasi sipas tyre, presidenti Thaçi është kundër faktit që në Kuvend të kalojë një rezolutë e cila ia kufizon atij mundësinë që në tavolinën e dialogut të shtrojë tema siç është korrigjimi i kufijve.

Ndërkohë pos kësaj, projektrezolutën në fjalë po vazhdojnë ta kundërshtojnë edhe dy paritë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tyre, kjo nismë e Partisë Socialdemokrate nuk është aspak e duhura për t’i vazhduar negociatat me Serbinë. Porse zyrtarë të PSD-së thonë se partitë politike kanë vetëm dy rrugë për t’i zgjedhur: ose ta mbështesin Thaçin në idenë e tij për korrigjim të kufijve, ose ta kundërshtojnë atë dhe idenë e tij, duke e mbështetur projektrezolutën në fjalë.

PSD: Ne e kemi kryer obligimin tonë

Deputetja e PSD-së Shqipe Pantina ka thënë se kjo parti tashmë e ka kryer detyrën e saj, rrjedhimisht tash e tutje mbetet në duart e deputetëve që ta ndalin presidentin Hashim Thaçi. “Ne e kemi kryer obligimin tonë, jemi munduar të tregohemi konstruktivë dhe ta paraqesim një rrugë për të dalë nga kjo situatë. Tash mbetet në duart e subjekteve të tjera, qoftë atyre në pushtet, qoftë në opozitë, për të parë nëse vërtet janë të interesuara ta bllokojnë Thaçin dhe idenë e tij për ndarje të vendit ose duan që atij t’ia lënë duart e lira dhe ai të veprojë siç ka vepruar deri më tani”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Ndërkohë teksa ka folur rreth dy partive të tjera opozitare, LDK e LVV, të cilat nuk po e mbështesin nismën e PSD-së, Pantina ka thënë se këto dy subjekte kanë dy opsione për t’i zgjedhur. “Ata i kanë dy zgjidhje, ta mbështesin Thaçin në idenë e tij ose ta kundërshtojnë atë, duke e mbështetur rezolutën dhe duke u bërë pjesë e ekipit negociator. Është shumë e thjeshtë kjo punë”, është shprehur ajo. 

LVV: Propozimi i PSD-së nuk përbën zgjidhje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka konsideruar se e vetmja rrugë se si duhet të vazhdojë procesi i dialogut është rruga e propozuar nga LVV-ja. Lidhur me këtë sipas tij janë pajtuar edhe partitë e tjera politike. “Të them të drejtën subjektet politike janë pajtuar në parim me këtë që po propozojmë ne, por kur po vjen puna për të votuar nuk po votojnë. Ata janë pajtuar që të mos diskutohet për kufijtë, janë pajtuar që duhet të bëhet një analizë e 33 marrëveshjeve që janë nënshkruar, për të parë se cilat janë efektet e tyre, çka po respektohet nga ana e Serbisë e çka nuk po respektohet, gjithashtu janë pajtuar për ta bërë një listë me kërkesa të Kosovës ndaj Serbisë”, ka deklaruar ai.

E tek pas këtyre, siç ai është shprehur, mund të flitet për formimin e një rezolutë dhe për ekipin negociator. Ndërkohë, nisma e PSD-së për ta votuar një projektrezolutë me anë të së cilës edhe opozita bëhet pjesë e delegacionit, sipas Kurteshit nuk është nisma e duhur. “Varianti që është propozuar nga PSD-ja nuk mendojmë që është zgjidhja e duhur për të ecur përpara në çështjen e dialogut”, ka theksuar ai.

Pavarësisht kësaj shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Ahmet Isufi, ka vlerësuar se është tejet me rëndësi që Kosova ta ketë një delegacion dhe një platformë në procesin e negociatave me Serbinë. “Është shumë e rëndësishme që Kosova ta ketë një ekip dhe një platformë me të cilën do të shkojë në bisedime”, ka deklaruar ai.

Isufi më tej ka thënë se arritja e një uniteti mes partive dhe shoqërisë civile është tejet me rëndësi në këtë proces. “Është dashur të ketë unitet brenda forcave politike dhe shoqërisë civile në mënyrë që Kosova të përfaqësohet sa më denjësisht duke pasur parasysh që kjo është çështje nacionale”, ka shtuar shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së.

Ndikimi i Thaçit në PDK dhe gjasat minimale për konsensus

Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në kuadër të projektit për dialog ka vlerësuar se PDK-ja nuk po e mbështet nismën për ekipin negociator për shkak të kontrollit që presidenti Thaçi ka mbi këtë subjekt. Nismës në fjalë, sipas saj, nuk po i japin përkrahje as dy partitë opozitare, LDK-ja e LVV-ja. “PDK-ja nuk po përkrah këtë rezolutë për shkak të ndikimit të presidentit Thaçi në këtë parti, i cili si duket është kundër që në Kuvend të kalojë një rezolutë, e cila ia kufizon atij të shtrojë në tavolinën e dialogut tema potenciale siç është territori dhe sidomos mundësisë së miratimit të një projektligji për ekipin negociator, të cilin kjo projektrezolutë e parasheh”, ka theksuar ajo.

Megjithëkëtë Haxholli ka vlerësuar se vazhdimi i përpjekjeve të partive politike për ta miratuar një rezolutë në Kuvend për fazën e re të dialogut është pozitive. Kjo meqë, sipas saj, është shumë e rëndësishme që Kosova të krijojë një unitet politik dhe një qëndrim nacional ndaj Serbisë në fazën finale të dialogut. Por meqë spektri politik po vazhdon të jetë i përçarë në këtë drejtim, Haxholli ka konsideruar se nisma e PSD-së për ekipin negociator do të dështojë të votohet. “Prandaj me shumë gjasë kjo iniciativë e PSD-së do të dështojë, ashtu si iniciativat e kaluara të partive si nga pozita, ashtu edhe nga opozita dhe Kosova do të vazhdojë të përfaqësohet në dialog me Serbinë pa unitet politik e pa qëndrim nacional ndaj këtij shteti”, ka theksuar ajo.

Ndërkohë gjatë muajit të kaluar LDK-ja kishte propozuar një rezolutë tjetër për dialogun, me anë të së cilës mëtohej t’i pamundësohej Thaçit që të diskutonte për territore, porse rezoluta në fjalë pati dështuar t’i merrte votat e mjaftueshme në Kuvend./ZERI