Kush është Annegret Kramp-Karrenbauer, pasuesja e Merkel në krye të CDU-së

Aktuale December 08, 2018 - 11:31
Lexo tjera detaje

E premtja e 7 dhjetorit në politikën gjermane ishte ditë historike. Pas 18 vitesh në krye të partisë që e dominon Bundestagun gjerman, Unionit krishter demokratik (CDU), kancelarja  Angela Merkel vendosi të largohej dhe një etapë e re filloi në njërën prej shteteve më të fuqishme të botës. Zgjedhjet e brendshme në parti e nxorën fituese të ashtuquajturën ‘Merkeli i vogël’, Sekretaren e përgjithshme Annegret Kramp-Karrenbauer, me 51.75 % të votave. Ajo e la prapa në garë juristin e mirënjohur të korporatave Friedrich Merz, i cili mori 48.25 %, përfshirë edhe votën e presidentit të Bundestagut Wolfgang Schäuble, shkruan “Zeri.info”.

“Të nderuar delegatë, qëndroj para jush ashtu si jam, si jeta më ka bërë dhe jam krenare për këtë”, tha ajo ndër të tjerash në fjalimin e fitores."Mësova se çfarë do të thotë të udhëheqësh - dhe mbi të gjitha, mësova se lidershipi është më tepër të jesh i fortë brenda se të jesh i zëshëm jashtë”, shtoi ajo.

E njohur si AKK, Kramp-Karrenbauer u lind më 9 gusht 1962 në qytetin e vogël të Püttlingenit në shtetin e Saarlandit në perëndim të Gjermanisë, afër kufirit me Francën dhe Luksemburgun, qytet në të cilin jeton sot e asaj dite. Qysh në moshën 18-vjeçare iu bashkua liberal-konservatorëve gjermanë. Studioi drejtësi dhe shkenca politike kurse për këtë të fundit në vitin 1990, arriti të diplomohej në nivelin Master.

Gjatë vitit 1990 punoi si këshilltare e Peter Müllerit, atëbotë shef i grupit parlamentar të CDU-së në Saarland dhe po ashtu kryeministër i Republikës. “Nuk ka asnjë detyrë të cilën nuk mund t’ia besosh Annegretit”, kishte thënë Müller në vitin 2000. Nga viti 1991 deri më 1998, shërbeu si zyrtare e lartë për politika e degës së CDU-së në shtetin më të vogël territorialisht të Gjermanisë, Saarlandin.

LEXO EDHE: 9 minuta duartrokitje për Merkel, ajo shpërthen në lot

Karrierën politike e nisi gjatë vitit 1998 ku për 7 muaj si zëvendësuese ishte deputete në Bundestag. Mirëpo, në zgjedhjet e mbajtura po në atë vit nuk arriti të rizgjidhej.

Nga viti 2000 deri më 2004 kishte “shkruar historinë” duke u bërë gruaja e parë e cila do ta mbante postin e ministres së Punëvë të Brendshme në Gjermani. Këtë pozitë e mbajti po në qeverinë e Peter Müllerit, shkruan “Zeri.info”.

Pas zgjedhjeve federale të vitit 2009, gjatë negociatave për të formuar një qeveri koalicioni, Kramp-Karrenbauer ishte pjesë e delegacionit të CDU-së me CSU-në (Unionin krishter socialist) në grupin punues për hartimin e politikave për arsim ndërsa e udhëhoqi të njëjtën punë në ekipin punues tetë vite më pas.

LEXO EDHE: Isa Mustafa uron pasardhësen e Angela Merkelit

Në vitin 2010 u bë anëtare e Komitetit Nacional Ekzekutiv të CDU-së kurse në janar të 2011 ajo e zëvendësoi Peter Müllerin në pozitën e lideres së Republikës së Saarlandit, pozitë të cilën e mbajti deri në shkurt të këtij viti. Në zgjedhjet e 2017 fitoi 40.7 % të votive, shifër dukshëm më e madhe se e zgjedhjeve të kaluara

Gjatë kësaj kohë, Kramp-Carrenbauer ishte edhe Komisionere e  Republikës Federale të Gjermanisë për Çështjet Kulturore në bazë të Traktatit për Bashkëpunimin Franko-Gjerman në periudhën 2011-2014 dhe ende vazhdon të merret me çështje të kulturës; ishte delegate e CDU-së në Konventat Federale për të zgjedhur presidentin e Gjermanisë në vitet 2012 dhe 2017; po ashtu, në negociatat për të formuar të ashtuquajturin koalicion të madh (Große Koalition) pas zgjedhjeve federale të vitit 2013, ajo ishte pjesë e ekipit udhëheqës të delegacionit CDU-CSU.

Më 26 shkurt 2018, u zgjodh Sekretare e përgjithshme e partisë CDU, pasi mori 98.87 % të votave të delegatëve. Ajo për këtë pozitë u nominua nga liderja e atëhershme, kancelarja Angela Merkel. “Do të vijë një kohë në jetën e të gjithëve kur nuk është më e mjaftueshme të thuash se duhet ta bësh atë, por duhet t’i përgjigjeni vetvetes ... Kjo është arsyeja pse unë e kam vënë veten në shërbimin e partisë”, pati thënë Kramp-Carrenbauer.

AKK njihet për kombinimin e social-konservatorizmit me pikëpamje ekonomike të krahut të majtë. Në këtë pikë ajo i kundërshton doktorët që kryejnë aborte dhe që i reklamojnë shërbimet  e tyre. Sa i përket martesave mes gjinive të njëjta, në vitin 2015 kishte thënë se lejimi i martesave mes gjinisë së njëjtë mund t’i hapte derën incestit dhe poligamisë.

Sa i përket politikave të emigracionit, ajo parimisht e ka mbështetur Merkelin që emigrantët të kenë dyer të hapura në Gjermani. Megjithatë, ka pranuar se janë bërë gabime të rënda dhe ideja e saj është që refugjatët me të kaluar kriminale të dënohen dhe të mos lejohen që të kthehen në Gjermani./ZERI.

Image