Opozita, kundër buxhetit të paraparë për vitin 2019

Aktuale December 08, 2018 - 08:00
Lexo tjera detaje
Image

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se buxheti për vitin 2019 nuk është në përputhje me nevojat që ka Kosova. Sipas tij, projektet e reja në Kosovë duhet t’i marrin parasysh nevojat e komunave dhe jo ndarja e tyre të bëhet në baza partiake, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë ditës së djeshme kanë diskutuar për ndarjen buxhetore për vitin 2019. Me këtë rast ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se buxheti i paraparë për vitin e ardhshëm ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit. Hamza ka thënë se edhe ai do të kishte dëshirë që buxheti për vitin e ardhshëm të jetë edhe më i madh. Ai këtë të enjte ka bërë të ditur se buxheti i paraparë për vitin 2019 është 1 miliard e 949 milionë euro. Ndarjen e buxhetit për vitin e ardhshëm e kanë kundërshtuar deputetët nga subjektet opozitare në vend. Sipas tyre, buxheti nuk do të ndikojë në rritjen e zhvillimit ekonomik.

Opozita kundërshton buxhetin

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se buxheti për vitin 2019 nuk është në përputhje me nevojat që ka Kosova. Sipas tij, projektet e reja në Kosovë duhet t’i marrin parasysh nevojat e komunave dhe jo ndarja e tyre të bëhet në baza partiake. “Buxheti nuk është në përputhje me nevojat që i ka shteti i Kosovës. Nuk është në përputhje me objektivat e programit qeverisës 2017 - 2021. Deri në vitin 2021 të hyrat varen nga mbledhja e të hyrave nga doganat. Po tentohet të komplikohet administrimi i mbledhjes së të hyrave”, ka thënë ai.

Hoti ka theksuar se buxheti i vitit 2019 do të përballet me më shumë rriske fiskale sesa këtë vit.

Ndërsa deputeti i pavarur Korab Sejdiu ka thënë se buxheti i paraparë për vitin e ardhshëm është më shumë shpenzues. “Ky buxhet më shumë është shpenzues sesa që krijon pasuri e mirëqenie. Mungojnë investimet e qarta që prodhojnë një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës. Edhe në këtë projektbuxhet Qeveria po tregon se e sheh buxhetin si diçka të veten, diçka personale”, ka thënë ai.

Sejdiu foli edhe për buxhetin e paraparë për sistemin e drejtësisë, të cilin e konsideroi të pamjaftueshëm. “Rritja e buxhetit për sektorin e drejtësisë po i bie të jetë për 6%. Kemi një Qeveri e cila ka dëshmuar se ligjin e sheh si rekomandim dhe jo obligim. Nëse drejtësia është prioritet duhet të grumbullohen mjete. Nuk besoj se buxheti do të rritë zhvillimin ekonomik”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagaci, ka thënë se buxheti nuk ka ndikim në arritjen e objektivave të shtimit të cilësisë në arsim. Sipas saj, Kosova shpenzon shumë pak në arsim.

Deda: Buxheti i Kuvendit është më i vogël se ai i RTK-së

Deputeti nga radhët e Alternativës ka kritikuar buxhetin, i cili është paraparë për Kuvendin e Kosovës.  Sipas tij, për Kuvendin është paraparë më pak buxhet sesa për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK). “Mos prisni që deputetët e Kuvendit të Kosovës ta kryejnë punën mirë kur buxheti nuk është i tillë. Nuk mund të flasim për parimin e ndarjes së pushteteve kur buxheti ynë është më i vogël se i RTK-së. Nuk jemi seriozë. Kemi obligim që buxhetin në Kuvend të mos na caktojë Qeveria. Është hera e katërt që e diskutoj problemin e mendjes së Kuvendit si institucion të dobët. Duhet të reflektohet për lexim të dytë”, ka thënë ai.

Isufi: Buxheti të ndahet aty ku është në dobi të qytetarëve

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ndonëse përkrahu rritjen e buxhetit për vitin 2019 pati edhe kritika në lidhje me ndarjen e tij. Ai ka vlerësuar se buxheti duhet të ndahet aty ky shfrytëzohet dhe ku është në dobi të qytetarëve. “Kemi një buxhet i cili ka një rritje të konsiderueshme dhe kjo është për meritë të Qeverisë dhe të Ministrisë, por kemi edhe nevojë që t’i kemi vërejtjet tona në lidhje me buxhetin. Kur ndahet buxheti duhet që ndarja të bëhet e barabartë, nga e cila përfitojnë qytetarët e Kosovës. Edhe pjesa kufitare nuk është e trajtuar si duhet dhe ka nevojë për investime edhe më të mëdha”, ka thënë ai. Isufi ka kërkuar nga partitë politike që t’i japin rëndësi amendamentimit të buxhetit.

Beqa: Buxheti i vitit 2019 është ndikues në zhvillimin ekonomik

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka thënë se përmes buxhetit të vitit të ardhshëm koalicioni qeverisës pretendon që të realizojë programin e saj në të gjithat fushat e rëndësishme në vend. Sipas tij, ka pasur rritje të buxhetit në shëndetësi, në arsim e në ekonomi. “Projektligji për Buxhetin është moment shumë i rëndësishëm për institucionet e vendit dhe për qytetarët. Është e kuptueshme që Qeveria përmes buxhetit tenton ta realizojë programin e saj qeverisës për sundim të ligjit, për reforma në drejtësi, për aftësim në shëndetësi, për sport e për kulturë. Kemi një rritje të investimeve kapitale, e cila konsideroj që ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik. Përmes këtij buxheti Qeveria ka pretenduar të bëjë një zgjidhje. Kemi rritje të buxhetit në shëndetësi e në skemat sociale, në arsim e në zhvillim ekonomik”, ka thënë ai./ZËRI