Ahmeti e Gorani flasin me publicistë për projekt-rezolutën për dialogun

Aktuale December 07, 2018 - 15:37
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Kryetari dhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate(PSD), Shpend Ahmeti dhe Dukagjin Gorani në takimin e tyre me publicistin Veton Surroi dhe Luan Shllaku, kanë shpjeguar rezolutën për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, raporton “Zëri.info”.

Sipas një njoftimi për media nga PSD, rezoluta mundëson përfaqësimin gjithëpërfshirës në një platformë shtetërore, në përputhje me interesin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës.

Njoftimi i PSD-së:

Kryetari dhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti dhe Dukagjin Gorani kanë takuar sot në Prishtinë, publicistin z.Veton Surroi dhe z.Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv të Fondacionit për Shoqëri të Hapur (KFOS) në Kosovë. Gjatë takimit u konstatua domosdoshmëria që Kuvendi i Republikës të ketë rol qendror në procesin e dialogut me Serbinë.

Duke e shpjeguar Projekt-rezolutën e paraqitur nga PSD-Nisma-Alternativa, përfaqësuesit e PSD-së vlerësuan nevojën e përfshirjes së shoqërisë civile në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta dhe ligji për dialogun mundësojnë përfaqësim gjithëpërfshirës, vendimmarje konsensuale dhe platformë shtetërore, në përputhje me interesin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës.

Partia Socialdemokrate vlerësoi iniciativën e z.Surroi dhe z.Shllaku, për të kontribuar pozitivisht në procesin e dialogut me Serbinë, me mbështetje në ekspertizë strategjike, duke mundësuar resurse nga një spektër i gjerë lokal dhe ndërkombëtar, drejt arritjes së marrëveshjes eventuale për njohje reciproke me Republikën e Kosovës.