VV: Ahmeti nuk e ka besueshmërinë për ta përfaqësuar Kosovën

Aktuale December 07, 2018 - 13:06
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Shpend Ahmeti, i cili e drejton Komunën e Prishtinës, ka gjasë që të përfshihet në ekipin negociator për dialogun me Serbinë nëse e merr bekimin e Kuvendit. Por Ahmeti po kritikohet për angazhimin tjetër politik, pasi që vlerësohet se qeverisja me kryeqytetin do të binte në plan të dytë ndonëse qytetarët ballafaqohen me probleme të shumt, shkruan Zëri.

Shefja e Grupit të Asamblistëve të LVV-së në Komunën e Prishtinës, Leonora Shabani-Bajraktari, ka vlerësuar se kryetari i Komunës Shpend Ahmeti nuk ka besueshmëri për ta përfaqësuar Kosovën në procese siç është dialogu.

“Fillimisht kryetari Ahmeti nuk e ka besueshmërinë e mjaftueshme për përfaqësimin e vendit në nivele kaq të larta, pasi siç dihet ai ka tradhtuar votuesit dhe ka lënduar shpresat e qytetarëve të Prishtinës duke vjedhur mandatin nga qytetarët dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka deklaruar ajo për Zërin.

Shabani-Bajraktari më tej ka thënë se Ahmeti aktualisht me shumë vështirësi ia del që ta krijojë shumicën e thjeshtë në Kuvendin Komunal, ndërkohë që pretendon të hyjë në procese nacionale.

“Mendoj që vonesat në zbatimin e projekteve në mandatin e parë dhe ngathtësia e shfaqur në fillimin e zbatimit të premtimeve në mandatin e dytë e fusin kryetarin Ahmeti në shumë obligime dhe shumë punë për t’i zbatuar projektet e 100 zotimeve ‘Prishtina, qytet në çdo lagje’”, ka theksuar ajo.ZERI