LDK-ja kërkon seancë të jashtëzakonshme dhe dorëheqje të Qeverisë

Aktuale December 04, 2018 - 09:36
Lexo Detajet

Subjekti politik i LDK-së kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit dhe siç kanë thënë ata, dorëheqja është veprimi i vetëm që i ka mbetur koalicionit qeverisës.

Përmes një kumtese, ata thanë se opozita dështimin e tyre në liberalizimin e vizave dhe Interpol po e shohin si dështim të Evropës, përkatësisht të sigurisë globale, transmeton zeri.info.

Njoftimi i plotë:

Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme për dështimet e koalicionit qeverisës që kulmuan me mos liberalizim të vizave

Kryeministri i sotëm dhe zëvendësi i tij Limaj dikur pengonin me dhunë e intriga përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave. Atëherë e fajësonin Bashkimin Evropian, i cili deklaronte se po rrezikohet liberalizimi i vizave deri pas zgjedhjeve të vitit 2019 në Bashkimin Evropian.

Sot, kur ai paralajmërim është bërë fakt, përdoruesit e dhunës dhe intrigave, tash bashkë me partnerët e tyre qeverisës, sërish po fajësojnë Bashkimin Evropian.

Dështimin në liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Interpol po e shesin si dështim të Evropës, në rastin e liberalizimit të vizave, dhe të sigurisë globale, në rastin e Interpolit.

Kosovës po i mbyllen dyert sepse udhëhiqet prej njerëzve të izoluar. Këta po mundohen ta shpërthejnë izolimin e tyre, duke e izoluar Kosovën. Por, Kosova dhe qytetarët e saj do ta shpërthejnë izolimin duke i izoluar këta udhëheqës të papërgjegjshëm.

Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar këtë çështje. Dorëheqja e tyre është veprimi i vetëm që ju ka mbetur.