Molliqaj-Hotit: Ju gjithmonë i jeni nënshtruar PDK-së, Kosovës i duhet më pak hipokrizi

Aktuale December 02, 2018 - 19:26
Lexo Detajet

Pasi që shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka dalë kundër idesë së PSD-së që opozita të bëhet pjesë e Gupit Negociator me Serbinë, ka reaguar deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Molliqaj përmes një statusi në Facebook, ka shkruar se LDK-ja gjithmonë i është nënshtruar PDK-së.

Ai ka shtuar se Kosovës i duhet më pak hipokrizi, më shumë konstruktivitet e bashkim i partive opozitare, transmeton zeri.info.

Postimi i plotë:

Në vend se Avdullah Hoti dhe partia të cilës i takon të marrin përgjegjësinë që iu takon në mbrojtjen e vendit, tash kur Kosova po rrezikohet nga negociatat pa platformë, ai paska zgjedhur të merret me PSD-në.

Avdullah, për dallim prej juve, ne si PSD do të angazhohemi vazhdimisht që ta ndalim Thaçin t’i vazhdojë negociatat për vendin tonë krye në vete e pa platformë.

Ju vazhdimisht i jeni nënshtruar PDK-së. E keni zgjedhur Thaçin president e Veselin kryetar të Kuvendit. Andaj, të lus shumë si koleg që të kam, leje anash hipokrizinë.

Në këto momente, Kosovës i duhet më pak hipokrizi e më shumë konstruktivitet. I duhet bashkim i të gjitha partive opozitare, në mënyrë që të jemi më të fuqishëm përballë Serbisë në këto negociata vendimtare për të ardhmen e vendit.