Pacolli nderohet në Vlorë, universiteti i jep titullin 'Doctor honoris causa'
Ne ditën e Pavarësisë, Ditën e Festës Kombëtare të Shqiptarëve, shefi i diplomacisë kosovare dhe zëvendëskryeministri i parë i saj, Behgjet Pacolli, u nderua nga Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali” me titullin e lartë akademik “doctor honoris causa”.
Në një ceremoni ku morën pjesë personalitete të larta të jetës politike, akademike të vendit dhe të rajonit, studentë, etj, rektori Profesor doktor, Roland Zisi, pas prezantimit të jetës dhe kontributit të zotëri Pacollit i dorëzoi atij titullin e lartë me motivacionin:
“Për kontributin e shquar, unik dhe doktrinar, në nxitjen e mendimit shkencor kombëtar dhe afirmimin e modelit mbarëshqiptar të biznesit dhe marketingut, në sintoni dhe relacione të suksesshme me ekonominë globale, të cilat kanë sjellë rezultate reale e të prekshme në rritjen e mirëqënies individuale dhe harmonisë sociale, në funksion të patriotizmit modern, si kushte themelore të bashkëjetesës europiane e globale”.
Në fjalën e vet, Pacolli pasi vlerësoi kënaqësinë dhe raportin e tij me studentët dhe rininë, duke ju referuar nderimeve të shumta që i vijnë nga Shqipëria, tha :
”Më pëlqen të përsëris një maksimë: Nema propheta in Patria Sua. Askush s’të bën prift në fshatin tënd. Mua më nderon vazhdimisht Shqipëria- universitetet, qytetet, presidenti, për atë që kam bërë për emrin e shqiptarit në botë, për mirëqenien e tij, për rininë dhe arsimin, për punën, për urbanizmin e kohës sonë. Më nderojnë shtete të tjera… “
Më pas duke ju referuar Vlorës dhe rëndësisë së saj në plan kombëtar, tha:
“Ndërsa vij shpesh në Vlorë nga toka dhe nga deti, ku bëj pushimet, kam reflektuar për lidhjen midis historisë dhe të sotmes së këtij vendi magjik. Vlora, një nga portet më të rëndësishme të antikitetit, i ka mundësitë të kthehet pikësëpari, një nga vatrat më të rëndësishme të turizmit europian dhe botëror. Në asnjë prej plazheve më të rëndësishme të sotme, nuk ka një kombinim kaq simbiotik të malit me detin, të blegtorisë me turizmin, por që duhet të shfrytëzohet. Duke zhvilluar blegtorinë që do të furnizojë me produkte bio turizmin e së ardhmes, por dhe një strukturë hoteliere respektuese të natyrës. Vlora me thellësinë dhe gjerësinë e pasqyrës së saj ujore ka nevojë për një port të ri që mund të jetë nga më të mëdhenjtë e Mesdheut. E pse jo edhe port konteinerësh. E nëse ndërtohet porti, Vlora ka nevojë për një hekurudhë të re, ku pse jo të mbërrijnë mineralet e Kosovës. Vlora duhet të shihet me një sy tjetër, ashtu si e kanë parë në lashtësi- si pikëlidhje korridoresh të mëdhenj rrugorë, por jo vetëm.
Vlora ka arsye të ketë aeroportin e vet, të ndërlidhur me portin e saj. Unë e shoh universitetin tuaj, të angazhuar për projektet e mëdha të Vlorës, që do të jenë projektet e të ardhmes së Shqipërisë. Ju më nderuat për aktivitetin tim, idetë, kontributin në krijimin e një lloj doktrine për bashkimin ekonomik kombëtar. Unë e shoh Vlorën si qytet, si pellg industrialo- bujqësor me potencial të madh në këtë bashkim ekonomiko kombëtar. Vlora ka ndryshuar shumë, sepse ka deputetë të mirë që mendojnë për të si zoti Rama, dhe ne kosovarët si krejt shqiptarët, jemi krenarë me Vlorën tonë.”- tha ai
Me heret, Behgjet Pacolli mori pjesë bashkë me Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e parlamentit Gramoz Ruçi, në këtë ceremonial që parashikonte ngritjen e flamurit, vendosjen e kurorës me lule në varrin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali.
Gjatë qëndrimit në Vlorë, ministri Pacolli vizitoi një ekspozitë pikture të piktorit kosovar, Tafil Peci, muzeun e pavarësisë dhe vendosi një kurorë me lule në monumentin kushtuar heroit Isa Boletini.
Nderkohe qe ai u prit, gjithashtu nga kryetari i bashkisë së Vlorës Dritan Leli, në bashkinë e qytetit, ku pati rastin të vlerësonte rikonstruksionin e saj, dhe planet zhvillimore të qytetit.
Kryebashkiaku i uroi mirëseardhjen dhe vlerësoi personalitetin e zotëri Pacollit në shërbim të kombit shqiptar.
Ne fund te mbremjes, Ministri Pacolli ishte i ftuar i Presidentit Meta në Pallatin e Brigadave ku takoi personalitete të shumta të ftuar atje, mes të cilëve, ish Presidentin kroat, Stipe Mesiç, të cilin e uroi për dekoratën e marrë nga kryetari i shtetit shqiptar./Panorama