Japin dorëheqje zyrtarisht kryetarët nga veriu

Aktuale November 29, 2018 - 20:41
Lexo detajet

Ani pse kishin paralajmëruar dorëheqjet e tyre, katër kryetarët e komunave veriore, nuk e kishin bërë këtë dorëheqje në mënyrë zyrtare gjatë së martës. Mirëpo për T7, zyrtarë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, tregojnë që dorëheqjet të cilat i kanë paraqitur kryetarët, kanë arritur.

Me duartrokitje u prit dorëheqja e katër kryetarëve nga Veriu.

Kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, ai i Leposaviqit, Zoran Todiq, kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vuloviq si dhe kryetari i Zveçanit, Vucina Jankoviq vendosën ta ndërprejnë  gjithë komunikimin me institucionet kosovare.

Këtë e bënë përmes një konference, ku paraqitën rezolutën prej katër pikash.

Ani pse u bë bujë e madhe, kjo dorëheqje u zyrtarizua  gjatë së martës vetëm nga kryetari i Zubin Potokut.

Rrjedhimisht këto dorëheqje nuk ishin valide.

Por kjo ka përfunduar ditën e enjte, kur të katër kryetarët e komunave veriore, zyrtarisht kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Këtë e bën të ditur për T7, MAPL’ja përmes një përgjigjeje me shkrim.

 “Dorëheqjet të cilat i kanë paraqitur Kryetarët para disa dite, kanë arritur në MAPL” .

Zyrtarë nga Ministria njoftuan se në kontakt me Zyrën e Presidentit, shpallen zgjedhjet.

Mirëpo këta të fundit nuk u përgjigjën në pyetjet e T7, nëse deri më tash kanë kontaktuar me Presidencën.

Njëjtë kanë vepruar edhe nga Zyra e Presidentit. T7 ka tentuar të kontaktojë me shefin e stafit të Presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollakun, mirëpo ky i fundit nuk është përgjigjur.

Për dorëheqjet e kryetarëve të veriut, kanë njohuri edhe nga Bashkimi Evropian.

Zyra e Maja Kocijançiç, e konfirmoi këtë për T7. Sipas saj, Qeveria e Kosovës duhet të revokojë këto vendime.

Po, ne kemi dëgjuar për dorëheqjen e disa zyrtarëve sot në Kosovë. Tarifat 100% që synojnë produktet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina shkelin CEFTA dhe SAA. Qeveria e Kosovës duhet të revokojë menjëherë këto vendime. Veprimet, masat dhe deklaratat që perceptohen si provokuese dhe fyese janë thellësisht shqetësuese dhe nuk ndihmojnë në dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve. Ankesat duhet të adresohen përmes Dialogut të cilin Bashkimi Evropian është i përkushtuar të vazhdojë të lehtësojë.  Përfaqësuesi i Lartë / Nënkryetari është në kontakt me të dyja palët për të caktuar një datë për takimin e ardhshëm të Dialogut kur të dyja palët janë gati.

Sipas Nenit 1 të Rregullës Zgjedhore, Presidenti i Kosovës, shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe të parakohshme.