Bahtiri me ligj s`mund të inicojë ‘bashkimin’ e Mitrovicës

Aktuale November 29, 2018 - 16:32
Lexo detajet

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thirrur për nesër mbledhje urgjente të Kuvendit të Komunës për bashkimin e Mitrovicës përkatësisht inicimin e ndryshimit të ligjit për kufijtë administrative të komunave.

Por, as Bahtiri e as Komuna e Mitrovicës nuk kanë autoritet të iniciojnë këtë ndryshim të ligjit.

“Inicimi i ndryshimit të ligjit ligjit NR.03/L-041 për kufijtë administrativ të komunave, me qëllim bashkimin e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.

Por, procedura e ndryshimit të ligjit për të cilin Bahtiri ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme, përcaktohet me një ligj tjetër.

Është Ligji për Nisma Legjislative, i cili përcakton qartë se kush mund të bëjë inicime të tilla, e këtu nuk përmendet komuna e as një kryetar komune.

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) sqaron për KALLXO.com se kush mund të iniciojë ndryshimin e një ligji, më saktë janë Presidenti, Qeveria, të paktën 6 deputetë ose 10 mijë qytetarë ata që mund të marrin iniciativë për të ndërruar një ligj. Respektivisht në Ligjin për Nisma Legjislative askund nuk përmendet një kryetar komune a një komunë, si autoritet për një nismë të tillë.

“Bazuar në Ligjin Nr. 04/-L-025 për Nisma Legjislative, përkatësisht nenin 5 të tij sqarohet se e drejta e nismës legjislative mund të merret nga Presidenti i Republikës së Kosovës nga fushë veprimtaria e vet, deputetet e Kuvendit të Kosovës, Qeveria ose më së paku dhjetëmijë (10.000) qytetarë me të drejtë vote”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

Ndërsa, sa i përket procedurës lidhur me ndryshimin e Kufijtë Administrativ të Komunave, Ligji Nr. 03/l-041 për Kufijtë Administrativ të Komunave, përkatësisht nenin 9 të tij sqaron se themelimi i komunave të reja, bashkim, ndarja, ndryshimi i kufijve administrativ të komunës dhe caktimi i emrit apo selisë së komunës bëhet me plotësimin dhe ndryshim e këtij ligji.

“Ligji për Kufijtë Administrativ të Komunave ka përcaktuar se për t’u ndryshuar kufijtë administrativ të komunës duhet të zhvillohen konsultimet me qytetarë në komunat ose pjesët e komunave të prekura nga ky ndryshim”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi i ka thënë KALLXO.com se Kuvendi nuk është në dijeni për këtë nismë, por se nismat e tilla përcaktohen me ligj dhe se gjithçka duhet të kalojë tek deputetët.

“Procedura duhet të kaloi përmes trupave të Kuvendit (komisioneve parlamentare dhe Seancës plenare)”, tha ai.

Për iniciativën e Agim Bahtirit nuk janë në dijeni as Qeveria, as Kuvendi, por as partia e tij, AKR.