Përçahet Lista Serbe (Video)

Aktuale November 27, 2018 - 20:40
Detajet

Milan Radojiçiq, i akuzuar si shefi i nëntokës së komunave veriore, ka një listë me opsione veprimesh për të realizuar shpëtimin e tij nga drejtësia.

Disa prej këtyre veprimeve kanë çuar deri te përçarja e Listës Serbe.

Burime të RTV Dukagjinit thonë se Radojçiqi i ka në dorë shumicën e kryetarëve të Komunave Serbe, si dhe 5 nga 9 deputetët e Srpska-s në Parlamentin e Kosovës.  Por,  ai nuk i kontrollon të gjithë deputetët dhe as të gjithë kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

RTV Dukagjini disponon pjesë nga komunikimi në grupin e deputetëve të Listës Serbe në ‘viber’ e ku vërehen kundërshtime të disa prej këtyre deputetëve, ndaj udhëzimeve të Radojiçiqit.

Përmbajtja e komunikimit në këtë grup është alarmante kur flitet për përçarjen që e ka ky grup parlamentar. Njerëzit që më së shumti shkruajnë në këtë grup janë Igor Simiq dhe Sasha Milosavleviqi, të cilët shkëmbejnë akuza të mëdha mes vete.

Edhe në këtë grup vërehet se njeriu që ri mbi të gjithë e që mundohet t’i bashkojë serbët është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Mirëpo, burime të RTV Dukagjinit bëjnë të ditur se Milan Radojiçiqi nuk e ka marrë mbështetjen e mjaftueshme dje në Beograd për një “bunkerizim të veriut”. Prandaj, ai mbrëmë ka urdhëruar menjëherë tërheqjen e serbeve nga institucionet e Kosovës dhe është kërcënuar se kushdo që s’e bën këtë do ta pësojë keq.

Ai, i është kërcënuar me zë të lartë njërit prej kryetarëve të komunave se “do t’i bëjë hundët përshesh” (Origjinal: Razbicu ti njusko) nëse nuk e dëgjon fjalë për fjalë çdo urdhër të tijin ditëve në vijim.

Ndër urdhrat e parë janë: “Dorëheqje”, “Barrikada me të gjithë serbet në rrugë”, dhe më e rëndësishmja “Sulm ndaj pikave kufitare”.

Kërkesa e Radojiçiqit, që pikërisht nuk ka marrë mbështetje, janë barrikadat.

“Milan Radojiçiqi është i gatshëm të bëjë gjithçka për ta shpëtuar vetën nga  dyshimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Dje në Beograd nuk ka shkuar diçka mirë edhe pse vetë Vuçiqi ka thënë për Radojçiqin se aspak nuk ka argumente se është i përfshirë në këtë vrasje”, ka thënë i njëjti burim për RTV Dukagjini.

Politikanët serbë të Kosovës, duke nisur nga Rada Trajkoviq, pastaj Momçilo Trajkoviq e të tjerë, vazhdimisht kanë ngritur zërin se mund të jenë viktima të Milan Radojiçiqit. Kjo frikë tash është prezente edhe te vetë pjesëtarët e Listës Serbe, veçmas atyre në komunat veriore.