Partitë pa dakordim, Thaçi me 'korrigjim'

Partitë pa dakordim, Thaçi me 'korrigjim'

Aktuale tetor 12, 2018 - 07:46
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Përplasja e partive politike rreth dialogut po ia mundëson presidentit Hashim Thaçi që ta çojë përpara idenë e tij për “korrigjim të kufijve” me Serbinë. Megjithatë, i pari i shtetit në këtë mision është i vetëm, duke mos e pasur përkrahjen e asnjë subjekti politik e as të ish-partisë së tij (PDK), shkruan sot Gazeta "Zëri".

Të gjitha partitë politike në Kosovë, qoftë nga pozita ose edhe nga opozita, po vazhdojnë të mos pajtohen me idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjim të kufirit me Serbinë.

Por ky çakordim i spektrit politik në vend, sipas njohësve të çështjeve politike, e dëmton mjaft shumë shtetin e Kosovës dhe procesin e dialogut në përgjithësi.

Madje, sipas tyre, një gjë e tillë ia hap rrugën edhe presidentit Thaçi që t’i realizojë synimet e veta dhe të manovrojë siç do ai në këtë proces. Andaj, sipas analistëve, arritja e një konsensusi nacional është më se e domosdoshme.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës thonë se po qe se pozita e opozita nuk ia dalin që të gjejnë një ujdi lidhur me çështjen e dialogut, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Stagnimi i procesit të dialogut

Politologu Bekim Baliqi ka vlerësuar se i tërë procesi i dialogut Kosovë - Serbi tashmë ka stagnuar. Andaj sipas tij, pa arritjen e një konsensusi të gjerë nacional është e pamundur që delegacioni udhëheqës ta përfaqësojë Kosovën siç duhet në këtë proces. 

“Moskoordinimi partive dëmton procesin në përgjithësi. Mendoj që nuk do të jetë efektiv procesi nëse nuk ka një unitet mes palëve, sepse në njëfarë forme legjitimiteti i udhëheqësit do të jetë diskutabil dhe në plan afatgjatë do të mundë të dëmtoheshin interesat nacionale të Kosovës”, ka theksuar ai.

Një moskoordinim mes partive sipas Baliqit i hap rrugën presidentit që ta vazhdojë udhëheqjen e procesit të negociatave me Serbinë. Por pavarësisht kësaj, Baliqi ka konsideruar se kreu i shtetit nuk e ka fuqinë e plotë që të marrë vendime vetëm.

“Nuk besoj që presidenti e ka fuqinë që krye në vete të marrë vendime, sepse ato do të duheshin të miratoheshin nga Kuvendi i Kosovës. Kjo nënkupton që ai mund të negociojë në emër të Kosovës, por nuk mund ta përmbyllë asnjë marrëveshje”, ka potencuar ai.

Ndërkaq Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se presidenti i shtetit është i vetëm në idenë e korrigjimit të kufirit, pasi as opozita e as Qeveria nuk po e mbështesin në këtë drejtim.

“Më e rëndësishme është që presidenti para se të prezantojë idenë për korrigjim të kufijve është më mirë të ndalet dhe të korrigjohet që të mos vazhdojë ajo ide. Momentalisht ai është i vetëm në këtë ide, nuk e ka as përkrahjen e Qeverisë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, edhe po qe se spektri politik nuk mund të koordinohet mes vete sa i takon negociatave me Serbinë, presidenti Thaçi nuk duhet të vazhdojë ta proklamojë këtë ide edhe më tutje.

“Prandaj, mendoj që edhe nëse nuk arrihet një harmonizim i spektrit politik presidenti Hashim Thaçi nuk duhet në dialog t’i prezantojë idetë që momentalisht janë duke u kundërshtuar fuqishëm, edhe nga partitë në pushtet, por edhe nga partitë që janë në opozitë”, ësht shprehur Violeta Haxholli nga KDI-ja.

Koordinim ose zgjedhje

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë se presidenti është duke e drejtuar dialogun pa mandat nga Kuvendi. Veprimet e kreut të shtetit lidhur me procesin e dialogut sipas Kurteshit nuk arsyetohen në asnjë variant të mundshëm.

Andaj, ai ka konsideruar se është e domosdoshme që të arrihet një koordinim mes pozitës e opozitës në këtë drejtim, ndonëse është shprehur skeptik nëse një gjë e tillë mund të realizohet.

“Do të ishte mirë që të koordinohet i tërë spektri politik shqiptar. Por fatkeqësisht deri në këtë moment nuk është arritur një gjë e tillë”, ka shtuar ai. 

Por po qe se nuk arrihet një konsensus i gjerë mes gjithë spektrit politik, sipas kryetares së Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Alternativa e konsideron të domosdoshëm konsensusin mes partive shqiptare. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, ka potencuar ajo.

Se vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve dhe se Qeveria aktuale duhet të rrëzohet ka vlerësuar se edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se në asnjë rrethanë nuk duhet votuar rezoluta e propozuar nga koalicioni qeverisës për dialogun me Serbinë.

“Të tillëve, jo që nuk duhet votuar rezolutën, por një orë e para duhet larguar nga pushteti. Vetëm zgjedhjet i japin frymë demokracisë dhe institucioneve në vend. Çdo vonesë e bën edhe më të paqartë të ardhmen tonë”, ka theksuar Avdullah Hoti.

Kurse njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka thënë se sjelljet e pakoordinuara të pozitës e të opozitës lidhur me çështjen e dialogut pa dyshim se sjellim pasoja për shtetin e Kosovës.

“Përgjegjësia në këtë rast, sa i përket edhe platformës, udhëheqjes së dialogut dhe ekipit negociues, është e dyanshme, sa e opozitës, sa e pozitës”, ka theksuar ai.

Sipas tij edhe pozita, edhe opozita do të duhej të uleshin bashkërisht për ta gjetur një zgjidhje lidhur me procesin e negociatave. “Në rezolutën e propozuar nga koalicioni qeverisës do të duhej të ishin të pranishëm të gjithë. Kjo klasë politike, qoftë pozitë, qoftë opozitë, fatkeqësisht është e paaftë dhe kjo është e dëmshme dhe me pasoja për vendin”, ka shtuar ai.