"Atë që s’ka mundur ta bëjë Serbia po e bën Thaçi"

Aktuale shtator 19, 2018 - 15:46
Lexo detajet

Presidenti Hashim Thaçi po paralajmëron referendum dhe ndryshime kushtetuese në rast të arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë. Por, analistët politikë vlerësojnë se kreu i shtetit po synon që ta parapërgatitë opinionin për një marrëveshje të dhimbshme me Serbinë, përkatësisht një kompromis më të gjerë, shkruan "Zëri". 

Kurse anëtari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Korab Sejdiu, ka konsideruar se presidenti Thaçi po vazhdon me deklarimet e tij skandaloze. Por, sipas tij, Thaçi nuk e ka përkrahjen në Kuvend. Andaj synimi i tij për ta ndryshuar Kushtetutën, sipas deputetit të pavarur, mbetet i paarritshëm.

“Kushtetuta nuk mund të ndryshohet, ndër të tjera pa mbështetjen e 2/3-tave të deputetëve të Kuvendit. Si mendon që ta arrijë këtë qëllim, që për presidentin Thaçi është tërësisht i paarritshëm, unë nuk e di dhe vetëm ai mund të përgjigjet. Mirëpo një gjë është e qartë, se në këtë legjislaturë dhe me këta deputetë që janë sot në këtë Kuvend presidenti vetëm mund të ëndërrojë lidhur me sigurimin e një mbështetjeje të tillë”, ka potencuar ai për “Zërin”.

Pavarësisht kësaj, ai ka bërë të ditur se opozita qëndron e bashkuar për ta parandaluar çdo dëmtim që mund t’i bëhet shtetit nga “aventurat” e presidentit.

“Fatkeqësisht atë që nuk ka mundur ta bëjë Serbia qe një dekadë pas pavarësisë presidenti Thaçi po e bën për disa javë ose muaj. Pra, për pak kohë ka kthyer tërë botën kundër shtetësisë së Kosovës, duke përfshirë edhe disa nga aleatët tanë më lojalë”, ka theksuar ai.  /ZERI