Thaçi: LDK e ka nënshkruar Asociacionin e Komunave Serbe

Aktuale August 30, 2018 - 19:46
Lexo detajet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me drejtuesit e institucioneve të Kosovës, ka thënë se ata që flasin për ndarje të Kosovës janë në agjendë të izolimit të Kosovës.

Ai ka thënë se nuk e ka nënshkruar Asociacionin e Komunave Serbe, duke ia lënë përgjegjësinë për këtë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por ka qenë pikërisht Hashim Thaçi i cili më 19 prill të vitit 2013, atëkohë kryeministër i Republikës së Kosovës, i cili kishte nënshkruar marrëveshjen e parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel së bashku me Ivica Daçiqin.

Ajo marrëveshje 15 pikëshe ishte nënshkruar me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve, dhe në vete përmbante edhe themelimin e Asociacionit të Komunave serbe.

“Unë se kam nënshkrua Asociacionin e Komunave Serbe. LDK-ja e ka nënshkruar. Duhet të dhënë ata përgjigjen. Prandaj ata që pretendojnë me i hedh të gjithë këto procese në drejtim të presidentit, e kanë gabim. Unë qëndroj pas të gjitha marrëveshjeve në Bruksel. Pas gjitha marrëveshjeve që burojnë nga vullneti i njerëzve të Kosovës. Askush, kushdo që të jetë nuk do ta tejkalojë parlamentin e Kosovës. Unë do ta respektoj Kushtetutën e Kosovës qind për qind. Kushdo që e cenon Kushtetutën dhe frymën e Kushtetutës, jo vetëm atë çka shkruan, e cenim i frymës së Kushtetutës është edhe me e mbajt Kosovën të izoluar gjë që nuk do ta lejojë”, ka thënë Thaçi pas konferencës të mbajtur të enjten.