Vizatimi i kufijve, pa opozitën

Vizatimi i kufijve, pa opozitën

Aktuale gusht 20, 2018 - 07:57
Lexo tjera detaje
Image

Opozita është e vendosur të mos i bashkohet delegacionit kosovar në takimin e ardhshëm në Bruksel në fillim të shtatorit, ndonëse presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se në këtë takim homologut të tij serb Aleksandër Vuçiq do t’ia prezantojë planin për “korrigjimin e kufirit” në mënyrë që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pas pak javëve presidentët e Kosovës dhe të Serbisë pritet të takohen në Bruksel në kuadër të fazës finale të dialogut mes dy vendeve, ku presidenti Hashim Thaçi pritet t’ia prezantojë Aleksandër Vuçiqit planin, siç ka thënë ai, për “korrigjimin e kufirit” me synimin që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.

Megjithatë, në këtë takim të rëndësishëm për vendin opozita nuk do t’i bashkëngjitet të parit të shtetit të Kosovës në bisedimet me Serbinë. Madje Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të mobilizohet kundër Thaçit para këtij takimi.
Thaçi ditë më parë ka konfirmuar për “Reuters” se në takimin e shtatorit në Bruksel Vuçiqit do t’ia prezantojë planin e tij për “korrigjimin e kufirit” me Serbinë. “Definitivisht tani është momenti për të korrigjuar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, që është rreth 400 kilometra. Kjo do të ndihmonte në shmangien e problemeve ndëretnike dhe krijimin e çfarëdo rajoni autonom si Republika Serbe (në Bosnjë)”, ka deklaruar Thaçi.

LDK-ja nuk pret dakordim të partive opozitare

Deputeti nga radhët e partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Imet Rrahmani, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se nuk do ta përkrahin presidentin Hashim Thaçi si kryenegociator në fazën finale të bisedimeve me Serbinë. “Takimi i paralajmëruar mund të mbahet vetëm si përmbushje e agjendës personale të presidentit. Nuk pritet të arrihet një pajtueshmëri e tërë e spektrit politik, së paku jo edhe me Lidhjen Demokratike, e cila i ka qëndrimet e qarta e tashmë të theksuara shumë herë”, ka thënë ai.

Rrahmani ka theksuar se nuk pret asgjë të mirë nga takimi mes palës kosovare dhe asaj serbe. “Do të ishte naivitet sikur të pritet nga takimet e tilla diçka përmbajtjesore. Do të jetë takim si të tjerët, me plot paqartësi, deklarime boshe dhe vetëm për konsum të brendshëm në Kosovë e në Serbi. Disa ditë dhe disa javë do të flitet, do të shkruhet e do të hamendësohet se çka u fol, kush çka i tha dhe çka do të ndodhë. Thënë shkurt, takimi s’ka qare pa u mbajt, edhe pse të dy protagonistët e dinë se cili mund të jetë rezultati që gati mund të barazohet me hiçgjë”, ka thënë ai.

Beqa: Pres që opozita të reflektojë për gjetjen e një konsensusi

Por deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, e sheh si të domosdoshëm konsensusin e brendshëm politik para takimit të ardhshëm në Bruksel.  “Konsensusi është i domosdoshëm për skemën politike kosovare dhe është në interes të vendit dhe të qytetarëve, por mendoj që të reflektojnë edhe partitë opozitare. Unë mendoj që nuk ka kohë as Kosova, as qytetarët dhe as bota nuk na pret deri ne t’i zgjidhim interesat personale, është mirë që partitë politike t’i lënë interesat personale në raport me ato nacionale”, ka thënë ai për “Zërin”.

Beqa ka fajësuar partitë opozitare, duke thënë se ato nuk kanë qenë serioze për gjetjen e një konsensusi. “Bisedimet duhet të vazhdojnë dhe të mbyllet problemi në mes të dy shteteve dhe Serbia duhet të kërkojë falje për dëmet që ia ka shkaktuar Kosovës. Unë konsideroj që partitë politike nuk kanë qenë serioze. Mazhoranca i përkrah që bisedimet t’i udhëheqë presidenti Hashim Thaçi. Presidenti ka bërë edhe thirrje publike që t’i bashkohen ose që edhe dikush tjetër t’i udhëheqë ato, por nuk ka pasur asgjë konkrete prej tyre. Nuk ka pasur ndonjë alternativë”, ka thënë ai.

LVV-ja paralajmëron mobilizim para takimit të ardhshëm në Bruksel

Në anën tjetër Arbërie Nagavci, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka thënë për gazetën “Zëri” se do të organizojnë një mobilizim të përgjithshëm dhe do të bëjnë të pamundur që presidenti Hashim Thaçi në këtë mënyrë t’i vazhdojë bisedimet më Serbinë.

Sipas saj, nuk pritet asgjë e mirë për Kosovën nga takimi i ardhshëm në Bruksel. “Është e qartë se në formën se si është zhvilluar deri tani presidenti Thaçi ka marrë përsipër këtë përgjegjësi pa asnjë mandatim nga Kuvendi. Kjo tregon që nuk ka asnjë pritshmëri të mirë për Kosovën, për këtë arsye edhe partitë opozitare, edhe personat në qeverisje janë kundër mënyrës së zhvillimit të dialogut në këtë mënyrë dhe udhëheqjes nga Thaçi”, ka thënë ajo.

Haxholli: Partitë politike, larg gjetjes së një konsensusi

Violeta Haxholli, hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një prononcim për “Zërin” ka thënë se partitë politike në Kosovë jo vetëm që nuk kanë arritur të gjejnë një konsensus politik, por ato as nuk i janë ofruar atij me një propozim të përbashkët të tyre.

Ajo ka konsideruar se gjetja e një konsensusi do të ishte në të mirë të Kosovës. “Kjo është shumë keq për këtë proces. Kishte qenë mirë të dakordohen së paku në vija të trasha me atë se si e shohin ata Kosovën në këtë fazë finale të dialogut, cilat do të duhej të ishin kërkesat e Kosovës, vijat e kuqe, cilat do të mundë të ishin mënyrat në të cilat Kuvendi do të mundë të thërriste delegacionin në Bruksel në raportim pas takimeve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, partitë politike nuk kanë arritur të gjejnë një konsensus për shkak të strategjive politike të tyre./ZËRI