"Mjaft u eksperimentua me Luginën"

Aktuale gusht 17, 2018 - 13:24
Lexo detajet

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka komentuar çështjen e bashkimit të Luginës me Kosovën.

Ai në Facebook ka shkruar se me Luginën e Preshevës janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen eksperimente.

“Çështja e statutit politik nuk është vetëm një deklaratë, por është çështje e legjimitetit nëpërmjet shprehjes së vullnetit të popullit me Referendum. Qytetarët e Luginës së Preshevës konform akteve ndërkombëtare kanë deklaruar në vitin 1992 vullnetin e lirë dhe legjitim, rezultatin e së cilës e njohim të gjithë PIKË”.

“Në këto rrethana është naive, kontraproduktive dhe anashkalohen skajshmërisht interesat kombetare shqiptare të flitet për parcializimin e Luginës së Preshevës, qoft edhe bashkimi me Republikën e Kosovës të një copëze të Luginës. Pra, Lugina e Preshevës respektivisht Komuna e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është NJË, bashkë përherë e TË PANDASHËM! Kjo e fundit vlenë edhe për Republikën e Kosovës. Sakrifica sublime e dëshmorëve të Kombit dhe brezat e reja nuk lejojn ndarjen e Kosovës. Rrjedhimisht fjala e përshtatshme në këto suaza do të ishte Bashkim dhe jo Shkëmbim”.

“Si pikënisje objektive e zgjidhjes së problemeve do të ishte respektimi i të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Gjithashtu është detyrë e miqve ndërkombëtarë të flasin, reflektojn, aktivizojn resurset dhe të intervenojn për të zbatuar drejtësinë dhe ligjshmërinë ndërkombëtare, konform akteve juridike, për avansimin e të drejtave shqiptare në këtë rajon”, ka shkruar ai.