Bytyqi kërkon përkrahjen e UNICEF-it për kampanjën për fëmijë

Bytyqi kërkon përkrahjen e UNICEF-it për kampanjën për fëmijë

Aktuale gusht 02, 2018 - 11:21
Lexo detajet

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur në takim shefin e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co, me të cilin ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit për kampanjën, të cilën planifikon ta realizojë MAShT për rëndësinë e zhvillimit në fëmijërinë e hershme.

Ministri Bytyqi kërkoi ndihmën e kësaj organizate për kampanjën, e cila do të fokusohet në zhvillimin e moshave 0-3 vjet.

Sipas kumtesës për media, pasi që theksoi faktin se Kosova ka një përfshirje të ulët në institucione edukative të kësaj moshe, ministri Bytyqi tha se MAShT po planifikon që si pjesë e kampanjës të jenë edhe broshura informuese që do të shpërndahen nëpër familje, e që do të përmbajnë edhe udhëzime se si të sillen prindërit me këto mosha, në mënyrë që fëmijët të zhvillohen sa më mirë.

Bytyqi theksoi se si pjesë e dytë e kësaj kampanje, do të shihen mundësitë për adoptimin e ambienteve nëpër shkolla (aty ku ka mundësi), për fëmijët e moshave 3-5 vjet.

Në këtë drejtim, Ministri theksoi se bashkëpunimi me UNICEF-in është i një rëndësie të veçantë, duke pasur parasysh edhe fushëveprimtarinë e kësaj organizate.

Ndërsa, shefi i Zyrës së UNICEF-it për Kosovën, Brandao Co, falënderoi ministrin Bytyqi për bashkëpunimin që ka pasur MAShT me UNICEF-in përgjatë viteve. Pasi që theksoi rëndësinë e zhvillimit të fëmijëve në këtë moshë, e që është edhe një nga fushat e programit dhe prioriteteve të UNICEF-it, Co tha se do të shihen mundësitë e përkrahjes në këtë kampanjë.