Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese pagat e gjyqtarëve arrijnë deri në 4 mijë euro
Gjashtë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi, Ivan Cukaloviq, Altay Suroy, Snezhana Botusharova, Selvete Gërxhaliu dhe gjyqtari raportues, Bekim Sejdiu, me aktgjykimin pro vendimit të Ramush Haradinajt për rritjen e pagave, kanë vendosur edhe pro rritjes së pagave të veta.
Vetëm dy nga ta kanë kundërshtuar aktgjykimin, portugezi Almiro Rodrigues dhe Gresa Caka-Nimani.
Avokati Besnik Berisha thotë se paga e tyre, e cila sipas llogarive mund të shkojë deri në 4 mijë euro, do t’iu rritet me automatizëm.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosjes se në vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për rritje të pagave ka pasur shkelje.
Ky institucion ka konsideruar se nuk ka pasur prova bindëse nga parashtruesit e lëndës për t’i mbështetur pretendimet e tyre.
Kësisoj, kryeministri Haradinaj do ta marrë pagën mujore 2950 euro, nga 1500 sa e kishte më parë. Ngjashëm do të marrin pagë me rritje edhe vartësit e tij, përjashto këtu vetëm zëvendësministrat.
Por, konstatimi i Gjykatës Kushtetuese është po aq i favorshëm edhe për sistemin gjyqësor. Rritja e pagave të Qeverisë reflektohet automatikisht edhe te pagat e prokurorëve e gjyqtarëve. Por, as vetë institucioni që mori këtë vendim nuk do të mbetet keq. Kryetari Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarët e kësaj gjykate do të marrin paga më të larta si pasojë e këtij vendimi, shkruan Express.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë për Gazetën Express, se vendimi për pagat mbetet në fuqi dhe se gjyqtarët dhe prokurorët do kenë pagat më të dinjitetshme në rajon. “Presim edhe shtim të efikasitetit në angazhimin e tyre për zbatimin e mirëfilltë të ligjit në Republikën e Kosovës”, ka theksuar ai.
Ministri e konfirmoi se rritja e pagave do t’i prekë edhe ata të Gjykatës Kushtetuese. Por kundër vendimit të Kushtetueses, ishin deklaruar dy gjyqtarë që ishin pjesë e kolegjiumit.
Gjyqtarët Almiro Rodrigues dhe Gresa Caka-Nimani janë distancuar nga ky vendim duke thënë se respektojnë vendimin e shumicës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, megjithatë thonë se nuk mund të pajtohen me të, për shumë arsye që i kanë cekur në mendimin e përbashkët mospajtues, publikuar në faqen e Kushtetueses.
Avokati dhe ish-këshilltari i Isa Mustafës, Besnik Berisha, këtë vendim të Kushtetueses e ka quajtur përfitim personal, duke vendosur secili për interes vetjak.
“Rritja e pagave të Kushtetueses rregullohet me ligj të veçantë, por nuk ka asnjë logjikë tani që rritja të mos i përfshijë dhe ata. Do të zbatohet përshtatshmërisht. Këta janë me automatizëm të përfshirë në këtë rritje. Në fakt këta kanë vendosur për pagat e vetes, po ashtu”, ka bërë të ditur Berisha.
Ai thekson se po bëhen zinxhir shkeljesh gjithandej, të gjithë duke vendosur për veten, duke mos e përfillur interesin e shtetit.
Me vendimin e ri prokurorët e gjyqtarët do të paguhen nga 1400 deri në 3000 euro.
Paga më e lartë do t'i takojë kryetarit të Gjykatës Supreme, që do të jetë ekuivalente me atë të kryeministrit të Republikës së Kosovës, 2950 euro.
Paga e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme do të ishte ekuivalente me atë të një ministri në Qeveri, e cila i bie të jetë 2000 euro.
Edhe kryetari i Gjykatës së Apelit do të marrë një pagë ekuivalente me atë të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës, pra ekuivalent me një pagë të ministrit, 2000 euro. E kryetari i Gjykatës Themelore do të pranonte një pagë ekuivalente me atë të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit.
Ndërkaq, sipas një neni, paga e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është 1.3 herë më e madhe sa ajo e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, që i bie diku 3900.