Drenica me shumë probleme, shpresat te kryeministri Haradinaj

Aktuale May 01, 2018 - 17:25
Lexo detajet

Ditën e 1 Majit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka zgjedhur t’i vizitojë dy komunat e Drenicës, Drenasin e Skenderajn, të cilat përballen me shumë probleme. Haradinaj është shprehur i gatshëm ta ndihmojë “Ferronikelin” me 2 milionë euro për ta tejkaluar gjendjen, ndërsa ka premtuar se FSK-ja do të angazhohet për zhvendosjen e varrezave të dëshmorëve nga Polaci në Marinë, shkruan "Zëri.info". 

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe ai i Skenderajt, Bekim Jashari, janë ulur gju me gju me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, të marten, ditën e 1 Majit.

Kryeministri i vendit ka biseduar me të parët e komunave të Drenicës për shumë probleme që rëndojnë në Drenicë, për shumë projekte që nuk po përfundojnë kurrë, por edhe për projekte që pritet të realizohen, disa nga të cilat mbështeten me mjetët e Qeverisë së Kosovës.

Problemi më i madh në komunën e Drenasit është pa dyshim gjendja në “Ferronikël”, pasi që prodhimi është ndërprerë dhe se 820 punëtorë rrezikojnë të mbesin pa punë, si dhe gjendja me pronat e uzurpuara dhe pronat tjera që i ka në menaxhim AKP-ja dhe të cilat duhet t’i kthehen komunës.

Ndërsa në Skenderaj problemi më i madh është ngecja në realizimin e disa projekteve të infrastrukturës shkollore që nuk kanë përfunduar as pas 5-6 vjet nga fillimi, palestrës së sporteve, kompleksit të ndërtesave për kategoritë e luftës “UÇK”, si dhe ngecja totale e projektit të zhvendosjes së varrezave të dëshmorëve nga Polaci në Marinë, raporton tutje "Zëri.info". 

Kryeministri Haradinaj, fillimisht ka takuar kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci në Korroticë të Epërme në afërsi të Parkut të Biznesit ku do të ndërtohet stadiumi kombëtar, e pastaj që të dy ata kanë shkuar në ndërtesën e komunës ku kanë biseduar për për çështjet që janë me rendësi për komunën e Drenasit, projektet që presin të realizohen si dhe kanë takuar edhe sindikatën e pavarur të “Ferronikelit” për të biseduar për mundësinë e stabilizimit të fabrikës.

Është biseduar edhe projektet kapitale të komunës së Drenasit që janë në interesin e përgjithsëm të qytetarëve.

Lladrovci ka kërkuar nga kryeministri që të përkrahë ne realizimin e projekteve dhe se projektet që do të investohen nga Qeveria dhe secila organizatë buxhetore, do të zbatohen ne përpikëri sipas planifikimit.

Kryetari Lladrovci i ka kërkuar përkrahje kryeministrit Haradinaj për të mbajtur stabile dhe funksionale ndërmarrjen e Feronikelit. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thenë se Qeveria do të përkah projektet zhvillimore në të dy komunat e Drenicës.

“Biseduam në Drenas për krejt projektet zhvillimore që janë të rëndësishme, edhe për mundësitë buxhetore të financimit të këtyre projekteve, po ashtu biseduam edhe për pronat, që komuna e Drenasit ka projekte zhvillimore ne ato pjesë, por që janë disa pengesa që duhet të i’u kthehen komunës për t’i zhvilluar ato projekte dhe do të ishte në interes të përgjithshëm. Drenasi ka projekte zhvillimore, por që kërkohet që ato prona që janë nën menaxhim të AKP dhe të tjera, me iu kthyer komunës”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.

Ai ka shtuar se 'për simbolikën e ditës së sotme, kemi pasur rastin me i taku edhe sindikatën e ‘Ferronikelit’, kryetarin e saj Fehmi Nika, dhe jemi informuar për gjendjen në këtë ndërmarrje’.

Sindikalistët e “Ferronikelit” i kanë thenë Haradinajt se nevojiten rreth 2 milionë euro për të dale ndërmarrja nga kriza në të cilën ndodhet dhe që për pasojë është ndërprerë edhe prodhimi në “Ferronikël”.

“Është konstatuar se Qeveria e Kosovës i ka borxh për rimbursimin e TVSH-së, që ndërlidhet me pagën e punëtorëve për dy muaj, mars dhe prill, ndaj neve na intereson që ‘Ferronikeli’ të vazhdojë me prodhim, sepse është një investim dhe janë 820 punëtorë dhe besoj që do të t’i gjendet zgjidhja që ndërmarrja të këtë normalizim të situatës”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, gjatë bisedës me kryeministrin e Kosovës ka konstatuar shumë probleme që shoqërojnë realizimin e disa projekteve, siç janë objektet shkollore, gjimnazi “Hamzë Jashari”, si dhe shkollat në Qirez e Qubrel, pastaj projekti i palestrës së sporteve, ndërtesa për kategoritë e luftës, si dhe problemi me zhvendosjen e varrezave të dëshmorëve nga Polaci në Marinë.

“Kam biseduar me kryeminsitrin për disa projekte që kanë ngecur, edhe për palestren e sporteve, edhe për objektin e gjimnazit, por edhe për ndërtesën e kategorive të luftës dhe kam marrë premtimin se projektet do të përfundojnë shpejt”, tha kryetari i Skenderajt, gjatë një konference me gazetarë, pas takimit me kryeministrin Haradinaj.

Ai ia la kryeministrit Haradinaj që ta bëjë publik një vendim të tij lidhur me varrezat e dëshmorëve.

“Kam një lajm të mirë për të gjitha familjet e dëshmorëve dhe për qytetarët e Skenderajt. FSK-ja do të angazhohet për zhvendosjen e mbetjeve mortore të dëshmorëve nga Polaci në Marinë. Ky projekt ka qenë dashur të përfundojë qëmoti, pasi që varret në Memorialin e UÇK-së në Marinë janë ndërtuar që atëherë kur është ndërtu Memoriali i UÇK-së dhe janë pjesë e memorialit”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se do t’i jep rast kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari, që të merr pjesë në një mbledhje të Qeverisë, në të cilën do të mund t’i prezantojë të gjitha projektet që ka, si dhe t’i paraqesë të gjitha problemet me të cilat përballet komuna e Skenderajt.

Në fund,kryeministri Haradinaj u ka dhuruar dekoratën e vitit të Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, kryetarëve Lladrovci e Jashari, duke vlerësuar se dhuratat u jepen sepse janë bashkëluftëtarë dhe familjarë të familjes Jashari dhe të heroi Fehmi Lladrovci. /Zëri/ 

Image