Në kërkim të votave për demarkacionin - Bisedat efektive me deputetët e VV-së

Në kërkim të votave për demarkacionin - Bisedat efektive me deputetët e VV-së

Aktuale mars 13, 2018 - 19:06

Qeveria e Haradinajt ka hyrë në një proces “Déjà vu” të Qeverisë së Isa Mustafës, sa i përket ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Qeveria Haradinaj është ende në kërkim të votave që do të ishin të mjaftueshme për ta ratifikuar demarkacionin. 

Deri më tani koalicioni qeverisës së bashku me partinë opozitare LDK kanë mbledhur shumicën e votave por ende kanë nevojë për 9 deputetë.

Kushtet e Listës Serbe për të votuar pro janë refuzuar për momentin nga Qeveria Haradinaj, dhe tashmë kërkimi i votave është vendosur tek deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Një gjë të tillë e pati përmendur edhe shefi i PDK-së dhe i Kuvendit, Kadri Veseli por duke mos dhënë emra se “cilët deputet të VV-së janë në rrugë për të ndryshuar qëndrimin për demarkacionin”.

Disa ditë më vonë, njejtë ka folur edhe një tjetër anëtar i koalicionit qeverisës. Bilall Sherifi ka thënë në Klan Kosova se përpos bisedave në vazhdim të Listës Serbe, janë duke vazhduar bisedimet edhe me deputetët e VV-së.

As Sherifi nga Nisma Socialdemokrate nuk ka dhënë ndonjë emër por ka lënë të kuptohet se sytë janë drejtuar tek deputetët e dorëhequr nga VV-ja, pas ngjarjeve të fundit.

“Duke mos dashur të bëhem pjesë e deklarimeve të pa verifikueshme, mund të them se diskutimet dhe bisedimet po vazhdojnë me deputetët, disa nga ta që janë nga VV-ja dhe me ta po diskutohet për mundësinë që ta votojnë demarkacionin”, ka thënë Sherifi, transmeton Insajderi.

Ai ka treguar se edhe vet ka diskutuar me disa deputetë të VV-së porse ata në atë kohë nuk e kanë ndryshuar mendimin e tyre.