Lëkundet koalicioni

Lëkundet koalicioni

Aktuale janar 10, 2018 - 07:58

Ndonëse janë partnerë në qeverisje PDK-ja, AAK-ja e Nisma po vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme sa i përket Gjykatës Speciale. Përderisa lideri i PDK-së Kadri Veseli ka thënë se kjo Gjykatë nuk mund të pengohet (ashtu siç ishte kërkuar muajin e kaluar), lideri i AAK-së (njëherësh kryeministër i vendit), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta kundërshtojë këtë Gjykatë.

Ndërkaq edhe Nisma për Kosovën tashmë ka thënë se nuk e mbështet Gjykatën Speciale, porse kërkon plotësim-ndryshimin e ligjit për të. Me këtë rast, njohësit e rrethanave politike konsiderojnë se Gjykata Speciale është përplasja më e fuqishme që ka ndodhur deri më tash brenda koalicionit qeverisës, i cili ka marrë mandatin në shtator të vitit të kaluar. Madje sipas tyre, shkas për rrëzimin e Qeverisë aktuale mund të bëhet pikërisht Gjykata Speciale, sado që mund të ketë edhe shumë arsye të tjera për të ardhur deri te shpërbërja e këtij koalicioni. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës po insistojnë në rrëzimin e Qeverisë aktuale me arsyetimin se qeveria “Haradinaj” i ka sjellë vetëm dëme Republikës së Kosovës prejse ka nisur punën e saj.  

Haradinaj dhe Veseli në kundërshti për Specialen

I pyetur rreth qëndrimit të Veselit, i cili tha se nuk mund të ndalet Gjykata Speciale, kryeministri Ramush Haradinaj gjatë ditës së djeshme tha se nuk ka koment rreth kësaj. Megjithatë bëri të ditur se qëndrimi i AAK-së vazhdon të mbetet kundër kësaj Gjykate. “Unë kam lexuar letrën e Veselit që është kryetar i Kuvendit dhe i PDK-së. Nuk kam ndonjë koment në këtë letër. Nëse më pyesni mua dhe Aleancën e dini qëndrimin tim dhe të Aleancës, atëherë kur ka qenë kemi votuar kundër. Sot po të vijë votojmë kundër, nesër kundër, e respektojmë iniciativën e deputetëve sido që të jetë”, tha Haradinaj.

Ndërkohë lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ndryshe nga Haradinaj para dy ditësh tha se Gjykata Speciale nuk mund të ndalet sado që mund të jetë e dëmshme për Kosovën.

Një deklaratë të tillë e ka mirëpritur ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili kishte kërkuar me ngulm që të mos ndodhte shfuqizimi i Gjykatës Speciale. “I mirëpresim deklaratat publike të kryekuvendarit Veseli dhe të figurave tjera politike në drejtim të respektimit të obligimeve që ka ndërmarrë Kosova për Gjykatën Speciale”, tha dje Delawie.

Beqaj: Specialja, përplasja e parë serioze që rrezikon koalicionin

Nga ana tjetër duke komentuar moskoordinimin e partnerëve të koalicionit sa i përket Gjykatës Speciale politologu Belul Beqaj ka vlerësuar se kjo çështje ka shënuar  përplasjen e parë mes koalicionit. “Kjo është përplasja e parë shumë serioze që rrezikon koalicionin, por edhe unitetin e PDK-së. Por mendoj se veprimi i kryeparlamentarit ka qenë me vend, ndonëse e çuditshme duket kërkesa e përgjegjësisë publike për nismëtarët e shfuqizimit e cila epilogun është dashur ta ketë në Parlament, kryetar i të cilit institucion është pikërisht ai”, ka deklaruar ai për “Zërin”.    

Me këtë rast Beqaj ka thënë se qëndrimi i Veselit rreth Speciales do t’i ndryshojë dukshëm raportet e koalicionit qeverisës. “Besoj se raportet e koalicionit pas publikimit të letrës së kryeparlamentarit do të ndryshojnë seriozisht. Këtë Qeveri e kam vlerësuar si qeveri aventuriste me kryeministrin aventurier, ngase mënyra se si është krijuar dhe motivi i koalicionit ka qenë puro-makijavelist”, ka theksuar ai.

Maliqi: Një thyerje fare e vogël e koalicionit mund të bëjë që të mos ketë shumicë

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka thënë se ekziston rreziku që të provokohen tensione me ofrimin e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale. “Sa i përket destabilizimit, mund të ketë përpjekje. Por mendoj se shoqëria jonë është pjekur mjaft për të mos u instrumentalizuar. Rrezik kryesor mbetet ndonjë përpjekje për të nxitur tensione etnike, sidomos në veri”, ka deklaruar ai.

Duke komentuar qëndrimet e ndryshme të partnerëve të koalicionit lidhur me Gjykatën Speciale Maliqi ka thënë se nuk mund të dihet saktësisht se cilat janë qëndrimet e tyre, pavarësisht deklaratave publike. Ndërkohë ai ka konsideruar se kjo Gjykatë mund të ketë efekt të atillë sa ta rrëzojë krejtësisht Qeverinë aktuale. “Nuk është e sigurt se cilat janë pozicionet e secilës palë sepse nuk është larg mendsh se ajo që thuhet publikisht është e kundërta e asaj që synohet privatisht. Mendoj se ka faktorë të tjerë që janë më të fuqishëm në përcaktimin e fatit të koalicionit. Pushteti ka tendencë të krijojë inerci dhe interesat e të qenit në pushtet mbeten të forta. Sidoqoftë, duke marrë parasysh brishtësinë e koalicionit në numra, Specialja mund të ketë efektin e rrëzimit të Qeverisë”, është shprehur ai për “Zërin”.

Tutje Maliqi ka thënë se koalicioni është tejet i brishtë, saqë vetëm një thyerje fare e vogël mund ta rrëzojë.

Haliti: Prishja e koalicionit varet nga protagonistët

Kurse i pyetur lidhur me këtë çështje se a mund të bëhet shkas Specialja për rrëzimin e Qeverisë, deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka thënë se një gjë e tillë varet nga protagonistët e koalicionit. “Nuk e di a mundet, a s’mundet, varet krejt prej qëndrimeve të partive të koalicionit. Nëse ka mospajtime, nëse duan ta prishin koalicionin, janë protagonistët të cilët e kanë bërë koalicionin dhe ne që i kemi mbështetur. Varet prej tyre se a do ta vazhdojnë apo ka ndonjë problem, i cili mund ta pengojë koalicionin të shkojë më tutje”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkaq duke folur rreth paralajmërimeve të vazhdueshme të opozitës për rrëzimin e Qeverisë, Haliti ka thënë se një gjë e tillë është synim i të gjitha opozitave kudo që ka demokraci.  

Avdyli: Qeveria aktuale duhet të bjerë

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, (partisë opozitare e cila disa herë ka paralajmëruar rrëzimin e Qeverisë në pranverë), ka thënë se Qeveria aktuale duhet të rrëzohet sa më parë. “Kjo Qeveri çdo ditë e më shumë po shkakton dëme në të gjitha drejtimet. Çdo ditë e kaluar e kësaj Qeverie është humbje për Kosovën. U panë gjitha ato dështime, duke filluar nga harxhimet pa kriter, vendimet e dëmshme, prishja e raporteve me ndërkombëtarët e shumë vendime të tjera. Mendoj që kjo Qeveri duhet të bjerë sa më shpejt”, ka deklaruar ai.

Megjithatë Avdyli ka thënë se fillimisht opozita duhet të jetë e sigurt që i ka numrat e pastaj ta ngrejë mocionin për rrëzimin e saj. “Edhe mocioni pa ndonjë siguri do t’ia zgjaste jetën kësaj Qeverie, që do të ishte një dëm i madh për Kosovën, prandaj duhet të shkojmë të sigurt. Nëse arrijmë t’i sigurojmë 61 numra duhet të shkohet që të rrëzohet kjo Qeveri”, ka nënvizuar ai.

“I mirëpresim deklaratat publike të kryekuvendarit Veseli dhe të figurave tjera politike në drejtim të respektimit të obligimeve që ka ndërmarrë Kosova për Gjykatën Speciale”, ka deklaruar dje ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.