Vëllai i Molliqajt e quan hipokrit Kurtin
Dy letrat e Albin Kurtit janë komentuar nga vëllai i deputetit të "Vetëvendosjes", Dardan Molliqaj, Vloriani.
Ky i fundit nëpërmjet një shkrimi në Facebook, e ka quajtur Kurtin hipokrit.
Sipas tij, po të donte Albin Kurti t'i ndalte linçimet, askush nuk do të ofendohej.
Shkrimi i plotë i Molliqajt në Facebook:
Kohë shumë e gjatë, e vetëm dy letra. Fatkeqësisht asnjëherë, as para daljes së problemit në publik, e as pas daljes, as edhe një lutje për aktivistët për ndaljen e gjuhës linçuese dhe ofendimeve në rrjete sociale dhe shpifjeve nga më të ulëtat nëpër grupe joformale.
Heshtja në momentet më të vështira të organizatës nuk është asgjë tjetër pos mbështetje e gjithë kësaj që po ndodh.
Por, edhe letrat të cilat nuk iu bëjnë thirrje aktivistëve për qetësi dhe ndalje të kësaj gjuhe, por me heshtje i përkrahin ato, nuk janë serioze dhe nuk kanë qëllime përbashkuese. Ashtu siç të gjithë e dini besoj, do të mjaftonte një lutje nga Albini dhe askush nuk do të ofendonte në këtë mënyrë.
Fatkeqësisht, me këto dy letra nuk u komunikua me aktivistin por u kumtua qëndrimi që nuk le hapsirë për dalje nga kjo gjendje.
Paradite t’ua hapësh derën e t’i quash tradhtarë përmes piunëve bashkëthemeluesit e Lëvizjes, e pasdite t’i ftosh për dialog, nuk është asgjë tjetër pos hipokrizi.