Kosova ende pa Kardiokirurgji për fëmijë

Kosova ende pa Kardiokirurgji për fëmijë

Aktuale dhjetor 14, 2017 - 12:22

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, nuk ka kushte e as kuadro që të bëjë diagnostikimin e fëmijëve me sëmundje në zemër.

Këtë e thotë Ramush Beiqi, kardiolog dhe pediatër i cili për Radion Evropa e Lirë shpjegoi se po të kishte Kosova kuadro dhe mjete adekuate që do të diagnostikonte sëmundjen e zemrës qysh në barkun e nënës, lindja do të ndodhte në një vend ku intervenimet në zemër tek foshnjat do të mund të kryheshin menjëherë pas lindjes.

Ai thotë se prej vitesh nuk ka përparim në këtë fushë.

Në Kosovë janë afro 400 fëmijë në vit që lindin me anomali në zemër. Prej tyre rreth 200 kanë nevojë për intervenim kirurgjik, shërbim të cilin u duhet ta marrin jashtë vendit.

Beiqi tha se vetëm gjatë muajit nëntor, në Qendrën Klinike Universitare kanë lindur 8 fëmijë me anomali në zemër.

“Gjendja është kaotike. Disa profesionistë kanë njohuri, e të tjerët jo. Ne nuk kemi as kardiokirurgji. Diagnostikimi i hershëm nuk do të thotë të bëhen aborte, por të bëjmë përgatitje që fëmija të lind aty ku ka mundësi për intervenim të duhur”.

“Në Kosovë vdesin shumë fëmijë. Kjo është sëmundje moderne, ku në gjithë botën vdesin fëmijë, pra ata që lindin me anomali. Por nëse do të bënim një skrening më të mirë perinatal, ne do ta zvogëlonim shumë vdekshmërinë e foshnjave”, tha Beiqi.

Prindërit që kanë fëmijë me anomali në zemër, për shkak të pamundësisë për t’i operuar jashtë vendit, presin me vite duke kryer kontrolle të rregullta brenda QKUK-së.

Bekim Berisha, nga fshati Llaushë i Skenderajt, ka një djalë 10-vjeçar me probleme në zemër. Ai jep hollësi të tjera rreth vështirësive që ka në trajtim të fëmijës së tij.

“Qe një kohë të gjatë ne presim. Këtu po thonë se nuk mund të kryhet operimi, unë nuk kam mundësi ta operojë jashtë. Mjekët këtu po thonë vetëm të presim. Dhe ne po presim në ankth. Qe 10 vjet jemi kështu. Djali tash i ka 10 vjet dhe ka anomali në zemër, kështu ka lindur,” tha Berisha.

Por, në anën tjetër Shefqet Lulaj, gjinekolog, thotë se Kosova ka kuadro edhe për diagnostikim, por edhe për trajtim, por që kërkohet një bashkëpunim më i mirë mes profesionistëve shëndetësorë, duke përfshirë gjinekolog neonatolog, obstetër, pediatër, kardiolog dhe nga gjitha fushat tjera që kërkohet ndihmë për trajtim, varësisht nga rasti.

“Në Kosovë bëhen skriningje që pos tjerash kanë për qëllim diagnostikimin e hershëm të frytit brenda në mitër. Janë tre ultrazëra që bëhen, e që do duhej t’i detektojë keq formimet e frytit. Për këtë arsye po mundohemi përmes konferencave, edukimit të vazhdueshëm profesional, që duhet bëhet edhe ekzaminimi i zemrës së frytit në ultrazërin e dytë në javë të caktuar”,tha Lulaj.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka fond të veçantë për trajtimin e fëmijëve që kanë anomali në zemër.

Por, disa prej këtyre sëmundjeve mbulohen nga fondi 6 milionë eurosh, i ndarë për trajtim të pacientëve që iu ndihmon atyre të marrin shërbime jashtë vendit nëse ato sëmundje nuk mund të shërohen brenda Kosovës.

Që nga mbarimi luftës në vitin 1999, Kosova ka përfituar shumë donacione në sektorin e shëndetësisë. Emiratet e Bashkuara Arabe tashmë kanë zyrtarizuar fillimin e planeve për ndërtimin e një spitali pediatrik në Prishtinë.

Për ndërtimin e kësaj qendre, do të dhurohen 22 milionë euro, ku sipas zyrtarëve kompetentë, ky spital do të jetë i pajisur me teknikë moderne. /REL/