Demarkacioni përçan koalicionin
Foto: Laura Hasani

Demarkacioni përçan koalicionin

Aktuale nëntor 14, 2017 - 08:00

Deputetët e PDK-së kanë kritikuar dje drejtuesit e Komisionit të Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi se nuk kanë ofruar asgjë të re rreth Demarkacionit përderisa ata të AAK-së kanë kërkuar që Komisioni të mos ngutet me punën e tij. Analistët vlerësojnë se kjo është përçarja e parë e partnerëve të koalicionit qeverisës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, e cila ka mbetur pa zgjidhje tash e dy vjet, gjatë ditës së djeshme “përçau” partnerët e koalicionit qeverisës. Përderisa Komisioni i Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi (i caktuar nga kryeministri Haradinaj) raportoi para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, deputetët e partive politike që janë pjesë e koalicionit shfaqën mendime kontroverse lidhur me të gjeturat e deridjeshme.

Gjersa deputetët e AAK-së u bënë thirrje anëtarëve të Komisionit që të mos nguten, por ta bëjnë punën sa më mirë dhe të sjellë fakte, ata të PDK-së konsideruan se gjatë ditës së djeshme Komisioni nuk ka ofruar asnjë të re rreth Demarkacionit.

Përkundrazi, sipas tyre, ky Komision në raportimin e djeshëm është marrë vetëm me punët e ish-komisionit paraprak, të drejtuar nga Murat Meha.

Pavarësisht tyre, përfaqësues të partnerit tjetër të koalicionit, Nisma për Kosovën, konsideruan se Komisioni gjendet para një presioni të madh për finalizimin e raportit.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në të tilla çështje duhet të ofrohen fakte e jo të bëhen deklarata politike. Ata me këtë rast nuk kanë përjashtuar mundësinë që Demarkacioni të bëhet shkas për t’u përçarë përfundimisht ky koalicion.

Bulliqi: Komisioni i kaluar ka zhvendosur vijën kufitare

Kryetari i Komisionit të Ri për Demarkacionin, Shpejtim Bulliqi, teksa ka prezantuar raportin dje para Komisionit për Integrime Evropiane ka bërë të ditur se nga të gjeturat e deritanishme del se Kosova ka humbur territor nga versioni aktual.“Puna e ish-Komisionit Shtetëror ka qenë për ta identifikuar ish-kufirin administrativ, pse po e potencoj kufirin administrativ? Nuk është identik kufiri kadastral dhe ai administrativ. Ndërrimi nga kufiri administrativ të cilin e ka pasur Kosova me Malin e Zi dhe kthimi i tij në kufi kadastral nga ana e ish-Komisionit ka rezultuar në humbjen e territorit, ka rezultuar në zhvendosjen e vijës kufitare. Si pasojë e saj e kemi gjendjen e krijuar në terren”, ka bërë të ditur ai. Bulliqi më tej ka thënë se pala kosovare e ka ditur qysh në takimin e dytë se ka humbur territor nga version i tanishëm.

Pajaziti: Nuk dëgjova diçka të re, kam pritur më shumë argumente

Menjëherë pas kësaj ka reaguar deputeti i PDK-së Zenun Pajaziti, i cili ka thënë se Komisioni nuk ka ofruar asnjë informatë të re. “Kemi pasur një periudhë të gjatë, kemi humbur shumë kohë me këtë çështje ku të gjithë prej nesh kemi qenë të përfshirë në njërën mënyrë ose në tjetrën, edhe ju z. Bulliqi. Atëherë keni folur më shumë si ekspert, e sot kam pritur të keni më shumë argumente për të treguar diçka më konkrete. Mendoj se është një moment që të nxirren argumentet e të mbyllet kjo çështje pas kësaj kohe të gjatë. Unë nuk dëgjova diçka këtu, pos asaj vizite që keni bërë atje”, ka deklaruar Pajaziti.

Përpos Pajazitit në mënyrë të vazhdueshme ka reaguar edhe deputeti tjetër i PDK-së, Fatmir Xhelili, i cili po ashtu ka konsideruar se Komisioni nuk ka sjellë fare të reja gjatë ditës së djeshme.

Isufi Komisionit: Mos bini në asnjë presion!

Por për dallim prej tyre Ahmet Isufi, shef i GP-së së AAK-së (pjesë e koalicionit), i ka bërë thirrje Komisionit që të mos ngutet në punën e tij. “Prandaj puna juaj më së shumti është me përgjegjësi të jashtëzakonshme sepse ka të bëjë me fatin e territorit. Sa për kohën sa më shpejt, aq më mirë, por mos bini në asnjë presion”, u shpreh ai.

Ndërkaq deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, ka vlerësuar që Komisioni aktual është para një presioni të madh. “Në radhë të parë po ndërlidhem me atë që po besoj se jeni para një presioni të jashtëzakonshëm, nga Qeveria aktuale, nga presioni mediatik, por edhe nga Parlamenti i Kosovës që kjo punë të përfundojë sa më shpejt se ne rrezikojmë të humbasin shansin për liberalizim të vizave”, është shprehur ai. Megjithatë Zeka ka thënë se protagonistët që e kishin nënshkruar Marrëveshjen e Demarkacionit nuk kishin raportuar asnjëherë.

Baraliu: Ndarja e koalicionit rreth Demarkacionit, gabim fatal

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka konsideruar se kundërshtimet mes deputetëve të partive të koalicionit qeverisës në takimin e djeshëm janë legjitime, porse qasja duhet të jetë e argumentueshme. Megjithëkëtë, ai ka thënë se nuk mund të përjashtohet mundësia që kjo çështje të bëhet cak për përçarje të koalicionit.

“Është e mundur, por do të ishte një gabim trashanik, një veprim i gabuar strategjikisht. Unë mendoj që do të ishte me pasoja fatale ndarja e pikëpamjeve, se patjetër do të kishte një epilog që nënkupton çarjen e koalicionit, rrjedhimisht rënien e Qeverisë”, ka theksuar ai.

Kurse analisti politik, Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se është pritur një reagim i tillë i PDK-së lidhur me Marrëveshjen e Demarkacionit. “Në fakt është pritur një reagim i tillë i PDK-së sepse edhe në Qeverinë tjetër e kemi parë qëndrimin e saj që e mbështet atë version të Demarkacionit. Kështu që natyrisht pritet një reagim i tillë dhe duke pasur parasysh që ish-lideri i PDK-së ka nënshkruar marrëveshjen. Tash për tash unë nuk pres që PDK-ja do të zmbrapset nga ky qëndrim”, ka deklaruar ai. Megjithëkëtë, Mushkolaj ka thënë se kritikat e tilla nuk mund të cilësohen si sinjale të përçarjes së koalicionit qeverisës. Përkundrazi, sipas tij, është herët për të konsideruar që përplasja e PDK-së me Komisionin mund të çojë në ndarje të thella.