Katalonja shpall pavarësinë, presin njohje nga Kosova

Katalonja shpall pavarësinë, presin njohje nga Kosova

Aktuale tetor 04, 2017 - 07:44
Në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Zëri” eurodeputeti katalonjas, Josep Maria Terricabras, ka thënë se parlamenti i Katalonjës do të shpallë sot pavarësinë e vendit duke jetësuar vullnetin e mbi 90 për qind të qytetarëve të saj, të cilët votuan në referendumin e së dielës. Të vetëdijshëm për represionin dhe për vrasjet që mund të ndodhin nga qeveria spanjolle, populli katalonjas ka zgjedhur rrugën e tij drejt mëvetësisë. Në këtë pikë ata kërkojnë mbrojtje dhe mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare, kurse prej njohjeve të para presin edhe atë nga Kosova e nga Britania e Madhe, transmeton zeri.info

Katalonja do të presë një prej njohjeve të para nga Kosova pasi të shpallë pavarësinë ditën e sotme. Kështu ka thënë në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Zëri” eurodeputeti katalonjas Josep Maria Terricabras.

Terricabras ka zbuluar për gazetën “Zëri” se nëse nuk ndodh diçka e jashtëzakonshme për ta ndryshuar atë Katalonja do të shpallë pavarësinë e saj sot, duke jetësuar kështu vullnetin e mbi 90 për qind të qytetarëve, të cilët votuan në referendumin e së dielës.

Për ta bërë këtë ai ka thënë se janë të përgatitur edhe të vdesin.

Megjithatë, ai ka shtuar se nuk beson që konflikti do të eskalojë në luftë sikur në rastin e Kosovës.

“Ne nuk jemi ata të cilët kemi marrë armët në dorë, këtë po e bën pala tjetër, qeveria spanjolle. Ata po na rrahin, mbase edhe do të vrasin disa prej nesh. Mirëpo nuk do të ketë luftë. Ne nuk duam luftë, ne jemi paqësorë, andaj shpresoj që kjo do t’i hapë sytë e medieve dhe shumë shteteve të tjera që bashkësia ndërkombëtare më në fund të na mbrojë, sepse ne jemi viktima”, ka thënë Terricabas.

Të vetëdijshëm për atë që mund t’ju ndodhë nga qeveria spanjolle, megjithëse me jo shumë shpresë, Terricabras ka thënë se pret nga institucionet ndërkombëtare që t’i mbrojnë dhe të kenë një reagim. Në fund Terricebras ka folur edhe për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Ai ka thënë se do të jetë absolutisht dhe pa dyshim e detyrueshme për Serbinë para se kjo të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Zëri: Zotëri Terricabras, të dielën Katalonja mbajti referendumin e saj për ndarje nga Spanja. Si e përjetuat ju këtë ditë?

Terricabras: Jam i mërzitur për faktin sepse ditën e referendumit përjetuam dhe patëm një ditë tragjike. Megjithatë, siç keni mundur ta shihni edhe ju, forca dhe shndritja e popullit katalonjas kanë qenë të jashtëzakonshme. Kjo është arsyeja edhe pse jemi të lumtur për këtë ditë.

Zëri: Çfarë nënkupton për Katalonjën ky referendum?

Terricabras: E para, kjo e rikonfirmon dëshirën dhe mundësinë e popullit katalonjas për t’u ndarë nga Spanja. Me këtë rast, autoritetet spanjolle kanë reaguar në mënyrë të çmendur ndaj mijëra qytetarëve katalonjas me rastin e referendumit. Njerëzit flasin për dialog, mirëpo çfarë dialogu mund të bëhet me ata që reagojnë në këtë mënyrë. Prandaj, mendoj që populli katalonjas duhet të shkojë rrugës së vet - me të qetë dhe në mënyrë demokratike.

Spanja do të na vrasë, presim mbrojtje ndërkombëtare

Zëri: U pa reagimi i qeverisë spanjolle në ditën e referendumit, çfarë pritet të ndodhë në hapat tjerë që ju do t’i ndërmerrni?

Terricabras: Parlamenti i Katalonjës do të shpallë pavarësinë të mërkurën (sot), ku edhe kemi shumicën. Ndërkohë, ne e dimë që reagimi i qeverisë spanjolle do të jetë i ashpër sepse nëse na rrahën të gjithëve gjatë ditës së referendumit, ata do ta bëjnë këtë edhe të mërkurën (sot). Dhe ky është arsyetimi më i mirë pse ne nuk mund të bashkëjetojmë me Spanjën më. Ju nuk mund të jetoni me dikë i cili ju rrah juve. Kjo është e pamundur. Kështu që gjëja më e mirë për të bërë, është të divorcohemi. Prandaj edhe ne nisëm procesin e divorcimit nga Spanja.

Zëri: Ju po thoni që të mërkurën (sot) parlamenti katalonjas do të shpallë pavarësinë e shtetit. Duke e parë kundërshtimin e Spanjës dhe veprimet e tyre me rastin e referendumit si mendoni që do të reagojnë me rastin e shpalljes së pavarësisë?

Terricabras: Ata do të mundohen që ta ndalin këtë me çdo kusht, mirëpo ne do të rezistojmë. Është e çuditshme sepse në fund të fundit ne jemi shtetas të Spanjës dhe Spanja duhet të na trajtojë në një mënyrë miqësore, mirëpo këtë nuk po e bën. Kështu që do të rezistojmë brenda këtij shteti, i cili nuk na do ne. Megjithatë, unë pres, edhe pse jo me shumë shpresë, që institucionet ndërkombëtare do të na mbrojnë ne. Kur ata të shohin që agresioni është infit, sepse qeveria spanjolle po vazhdon që në mënyrë të vazhdueshme të vrasë njerëz dhe duke shkatërruar gjithçka, unë pres një reagim më aktiv të institucioneve ndërkombëtare.

Sikur Kosova edhe ne do të paguajmë çmim të lartë

Zëri: A është duke ndjekur Katalonja hapat e Kosovës? A shihni ngjashmëri mes këtyre dy rasteve dhe a mund të nxirrni ndonjë mësim nga ajo që ka ndodhur me Kosovën?

Terricabras: Jam i njohur mirë me rastin e Kosovës dhe shoh ngjashmëri të madhe. Mua më vjen shumë keq që pavarësia për ju ka ardhur pas një periudhe të dhimbshme dhe ka qenë shumë e vështirë për t’u arritur. Njëjtë edhe për ne, mendoj se do të fitojmë pavarësinë, mirëpo edhe do të paguajmë një çmim të lartë.

Zëri: Për çfarë çmimi e keni fjalën?

Terricabras: Me këtë nënkuptoj faktin se qeveria spanjolle do të mundohet që të ushtrojë represion ndaj nesh aq sa të mundet. Të shkaktojë krizë financiare, do të bëjë gjithçka që ka në dorë që qeveria jonë të dorëzohet, por natyrisht që ne do të rezistojmë. Mbase në fund do ta kemi edhe presidentin tonë në burg. Mirëpo, ne jemi të përgatitur për gjithçka dhe do të rezistojmë.

Zëri: Përveç represionit shekullor, Kosova në rrugën e saj drejt pavarësisë ishte sfiduar edhe me luftë dhe me krime të rënda nga Serbia gjatë luftës së vitit 1998-99. A ekziston rreziku që sot, gjatë shpalljes së pavarësisë siç ju thatë se do ta bëni apo edhe ditëve që do të pasojnë, në Katalonjë konflikti të eskalojë në luftë?

Terricabras: Katalonjasit janë njerëz shumë paqësorë, andaj mendoj se nuk do të ketë luftë. Ne nuk jemi ata të cilët kemi marrë armët në dorë, këtë po e bën pala tjetër, qeveria spanjolle. Ata po na rrahin, mbase edhe do të vrasin disa prej nesh. Mirëpo nuk do të ketë luftë. Ne nuk duam luftë, ne jemi paqësorë, andaj shpresoj që kjo do t’i hapë sytë e medieve dhe të shumë shteteve të tjera, që bashkësia ndërkombëtare më në fund të na mbrojë, sepse ne jemi viktima. Ne vetëm dëshirojmë të jemi të lirë, kjo nuk është krim. Nuk është krim në demokraci për të shprehur mendimin tënd. Kjo është natyrale. Ashtu sikur është bërë në Tibet apo në Skoci.

Zëri: A mund të ketë pavarësia e Katalonjës një domino-efekt në Spanjë?

Terricabras: Jo, nuk besoj. Megjithatë varet se si do të reagojë Spanja tani. Nëse vazhdon të reagojë në një mënyrë të vrazhdë edhe më tutje, mbase edhe mund të ketë domino-efekt. Askush nuk do të dëshirojë me dikë të jetë kaq i dhunshëm.

Presim njohje nga Kosova, Britania e Madhe, Belgjika…

Zëri: Duke marrë përsëri Kosovën si shembull, një ndër sfidat e saj pas shpalljes së pavarësisë ka qenë dhe po vazhdon të mbetet subjektiviteti ndërkombëtar. Megjithëse Kosova ka mbi 100 njohje, prapë mosnjohja nga të gjitha shtetet po i shkakton vështirësi në kompletimin e shtetësisë. A keni lobuar te shtetet dhe te aleatët tuaj që të njohin pavarësinë pas shpalljes së saj?

Terricabras: Spanja nuk do të na njohë ne në 20 apo 50 vjetët e ardhshme dhe kjo është e sigurt. Mirëpo ne shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar do të na njohë. Të paktën disa shtete. Për shembull, shtetet baltike apo shtetet e Evropës Veriore. Po ashtu shtetet të cilat kanë pasur vështirësi të ngjashme dhe të cilat kanë marrëdhënie shumë të mira me ne.

Zëri: Keni ndonjë emër në mendje se cilat nga shtetet pritni që t’ju njohin të parat?

Terricabras: Detyra  e parë e Katalonjës së pavarur do të jetë që të punojë në marrjen e sa më shumë njohjeve. Mirëpo, natyrisht që do të jetë shumë e rëndësishme për të fituar solidaritetin e disa shteteve në Evropë dhe kam disa emra në këtë mendje në këtë rast. Të gjitha shtetet në Evropën Veriore, nga Finlanda e poshtë. Të gjitha shtetet në Baltik, Estonia, Lituania dhe Latvia. Pse jo edhe Britania e Madhe. Britania e Madhe ka raporte të tensionuara me Spanjën për shkak të Gjibraltarit. Ne presim lëvizje edhe nga Belgjika. Pjesa flamane e Belgjikës, të cilët janë miq tanë të mirë. Por, në këtë rast ne duhet të jemi të vetëm, të paktën për një kohë, ne do të rezistojmë. Ne kemi vendosur që të marrim këtë rrugë me plot bindje dhe nuk varet nga pengesat që mund të kemi në rrugë. Vendimi është marrë. Do të shkojmë në atë rrugë. Do të jetë më mirë, natyrisht, nëse do të kemi mbështetje dhe ndihmë, mirëpo nëse nuk do ta kemi do të veprojmë të vetëm.

Zëri: A pritni njohjen nga Kosova dhe a do ta njihni ju Kosovën?

Terricabras: Natyrisht. Që të dyja. E thashë edhe më lart që unë pres njohje edhe nga shtetet të cilat kanë pasur probleme të ngjashme si tonat. Ne do t’i pranojmë njohjet ngado që na vijnë. Spanja nuk e njeh Kosovën dhe kjo është e turpshme. Në të njëjtën kohë, në mënyrë absolute edhe Katalonja do ta njohë Kosovën. Normalisht, unë nuk jam anëtar i parlamentit të Katalonjës dhe nuk mund të bëj premtime, mirëpo si eurodeputet që vij nga ky vend, unë besoj që kjo duhet të ndodhë.

Serbia do të detyrohet ta njohë Kosovën para se të futet në BE

Zëri: Kur po flasim për Kosovën dhe për njohjet a do të detyrohet Serbia ta njohë Kosovën apo një gjë e tillë nuk është e domosdoshme?

Terricabras: Njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë absolutisht dhe pa dyshim e detyrueshme për Serbinë para se kjo të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian. Që nga Marrëveshja e Brukselit në vitin 2013 Serbia ka pranuar legjitimitetin e institucioneve të Kosovës. Ky është një hap shumë i rëndësishëm edhe pse jo i mjaftueshëm sepse kushti i pashmangshëm për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian është që të kesh institucione të pastra demokratike dhe të respektosh vendimet e popullit, duke përfshirë ato të minoriteteve. Lufta e Ballkanit ka qenë një eksperiencë shumë mizore. Dëshiron kohë që t’i shërojë të gjitha plagët dhe t’i rindërtojë urat e dialogut. Kjo kërkon punë të madhe dhe durim.

Zëri: Zotëri Terricabras, kosovarët e fituan shtetin e tyre, katalonjasit a do të ndalen në idealin e tyre?

Zëri: Lëvizja për pavarësi është rritur në dekadën e fundit. Në vitin 2008, kur gjykata kushtetuese dha vendimin e saj për zhvlerësimin e autonomisë për Katalonjën, me çka shkatërruan statusin tonë të autonomisë, atëherë lëvizja për pavarësi u rrit në mënyrë të menjëhershme. Në shtatë vjetët e fundit, çdo ditë e më shumë njerëz i janë bashkuar kësaj lëvizjeje. Unë mund t’ju siguroj juve që veprimet ekstreme të ditës së diel, që ishte një eksperiencë e tmerrshme, kanë forcuar këtë lëvizje. Në fakt, veprimet e qeverisë spanjolle janë duke na ndihmuar ne çdo ditë e më shumë. Prandaj për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj, jo, katalonjasit nuk do të ndalen. Ndoshta pas shumë viteve, por Katalonja tani është realitet.