Deputeti i AAK-së thotë se janë siguruar votat për ta zgjedhur Veselin kryeparlamentar
Deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë javës ardhshme po presin që të thirren në vazhdimin e seancës konstituive.
Në këtë seancë është vetëm një pikë në rend ditës, zgjedhja e kryetarit të kuvendit dhe nënkryetarëve.
Ndonëse, nuk ka një datë të saktë për mbajtjen e kësaj seance, po qarkullojnë zëra se dita e enjte ose e premte do jenë njëra nga ditët kur kjo seancë do të mbahet.
Indeksonline ka kontaktuar deputetin Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, për të mësuar nëse kjo datë është caktuar, por ai ka thënë se ende nuk ka asgjë zyrtare.
Sipas tij, dita e enjte do të jetë dita kur mund të mbahet seanca, ndonëse jo zyrtare.
“Seanca sipas të gjitha gjasave do të mbahet ditën e enjte. Zyrtarisht do ta keni informacionin gjatë ditës së nesërme, më së largu pasnesër”, tha Selmanaj.
Në këtë seancë do të zgjidhet kryetari i kuvendit dhe nënkryetarët.
I pyetur, se a janë siguruar votat për votimin e kryeparlamentarit, Selmanaj ka thënë se ditën kur do mbahet seanca, Kadri Veseli do zgjidhet kryeparlamentar.
Ndonëse, nuk dha ndonjë detaj nëse është arritur marrëveshje me AKR-në, Selmanaj u shpreh i bindur se kryeparlamentari do zgjidhet atë ditë.
“S’është e imja me fol për këto detaje, vetëm e di që të kur të mbahet seanca, me gjasë të enjten, do të votohet kryeparlamentari. Deputetët kanë vendosur që ta votojnë Veselin për kryeparlamentar”, tha Selmanaj.
Pas zgjedhjes së kryeparlamentarit, zyrtarë të PAN-it kanë thënë se shumë shpejtë do të votohet edhe për qeverinë e ardhshme.