KMDLNJ reagon për rastin e Vitore Stavilecit: Mos ndërhyni në hetime

Aktuale August 29, 2017 - 10:35

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka dënuar sulmin ndaj Vitore Stavilecit, bashkëshortes së ministrit në detyrë të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci. Ndërkaq ka kërkuar që të mos përdoret gjuhë e urrejtjes dhe të mos të ketë ndërhyrje në hetime

Njoftimi i plotë:

Reagim I KMDLNj – së për rastin e sulmit ndaj znj. Vitore Stavileci

Mos e përdorni gjuhën e urrejtjes, mos ndërhyni në hetime

Më datë 28 gusht 2017 persona të paidentifikuar e sulmuan, e rrahen dhe i shkaktuan lëndime trupore (thyerje të kockës së hundës, gërvishje në qafë dhe lëndim të syrit) znj. Vitorie Stavileci që është gruaja e ministrit në detyrë , Blerand Stavilecit. E sulmuara dhe e rrahura Vitorie Stavileci u trajtua në QKUK, përkatësisht në Klinikën për Emergjencë për t’u liruar për trajtim shtëpiak pas 9 orëve të qëndrimit në Klinikën për Emergjecë. Njësiti hetues i Policisë së Kosovës ka dalë në vend të ngjarjes , lagjia “Veternik” në Prishtinë për t’i mbledhur provat e domosdoshme për vazhdimin e hetimeve.

Në ndërkohë pati reagime të shumta, kryesisht të subjekteve politike dhe liderëve të institucioneve të Kosovës që e gjykonin këtë sulm duke përdorur cilësime më të rënda për kryesit e këtij sulmi që përfundoi me përdorim të dhunës dhe lëndime trupore.

KMDLNj, duke e dënuar këtë sulm të dhunshëm ndaj znj. Vitorie Stavileci, sikur edhe në rastet e mëparshme ka kërkuar dhe kërkon hetime të shpejta, efikase, të pavarura, që nënkupton të mos paragjykohen kryesit e kësaj vepre të dhunshme dhe të mos përdoret për qëllime politike nga asnjë subjekt politik. Paragjykimi dhe motivi i supozuar për kryesit e mundshëm të këtij sulmi të dhunshëm por edhe të sulmeve të mëhershme e  që nuk janë ndriçuar paraqet ndërhyrje flagrante në punën e organeve hetuese e që është e palejueshme në një shoqëri kur kompetencat janë të ndara dhe ku nuk lejohet ndërhyrja politike apo tjetër.

KMDLNj e gjykon si të papranueshme dhe ndërhyrje në hetime për rastin e sulmit ndaj znj. Vitore Stavileci të drejtuesve të PDK –së në konferencën për shtyp ku në mënyrë eksplicite dhe të pakundërshtyeshme u tha se sulmin e kryen “kriminelët e LV” pa u zhvilluar, pa u përfunduar hetimet dhe pa një vendim të gjykatës kompetente.

Këtë pohim të disa drejtuesve të PDK –së, KMDLNj e konsideron si paragjykim që nuk është mbështetur në asnjë provë dhe ndërhyrje në punët e hetuesisë.

Meqë këtu nuk kemi të bëjmë me një deklaratë politike që hynë në fushëveprimin e ligjshëm të politikanëve por me një akuzë shumë të rëndë , të pafaktuar e që nënkupton pasoja ligjore, KMDLNj kërkon që prokurori i rastit të hetojë sulmin ndaj Vitorie Stavilecit nga “kriminelët e LV” dhe të ndërmerr masa ligjore ndaj tyre, nëse pohimi i disa drejtuesve të PDK –së është i vërtetë ose mungesë të ofrimit të fakteve bindëse, të marrë masa ligjore ndaj paragjykuesve në fjalë.

KMDLNj kërkon dhe pret nga PDK të distancohet nga këto akuza të disa drejtuesve të saj kundër një subjekti politik, të mos pengojë hetimet, të presë përfundimin e hetimeve dhe vendimin e gjykatës kompetente sepse në këtë mënyrë do t’ua mbyllë rrugët e paragjykimeve dhe do të ndihojë drejtësinë, përmes respektimi të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Fjalori akuzues , në të shumëtën e rasteve paragjykues , po përdoret për qëllime politike dhe kjo gjuhë e urrejtjes po e tensionon situatën duke prodhuar dhunë ndaj personave kryesisht të pafajshëm dhe të pambrojtur siç ishte rasti i sulmit ndaj znj. Vitorie Stavileci.

KMDLNj shpreson se sulmuesit që e rrahën dhe e lënduan znj. Vitorie Stavileci do të zbulohen, do të sillen para organeve të drejtësisë dhe do ta marrin dënimin e merituar. Deri atëherë, të gjithë duhet të tregohemi të përmbajtur në deklarata dhe veprime sikur që duhet të ndihmojmë organet e hetuesisë për zbardhjen e këtij rasti dhe rasteve të tjera të pandriçuara deri më tani.