Haziri: Nuk vjen në shprehje koalicioni me PDK-në

Haziri: Nuk vjen në shprehje koalicioni me PDK-në

Aktuale korrik 13, 2017 - 11:25

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është shprehur i bindur se koalicioni PAN nuk i ka votat e nevojshme për ta formuar Qeverinë e re. Sipas tij, asnjë deputet i LDK-së nuk do të dalë e t’i bashkohet radhës së PAN-it, shkruan "Zeri.info".

“Pse nuk po e formojnë qeverinë pra, pasi që i paskan votat?! Kjo nuk qëndron. Ata nuk i kanë votat dhe nuk ka mundësi të ndodhë ajo që dikush prej 29 deputetëve të koalicionit të LDK-së të dalë nga grupi parlamentar. Qytetarët ia dhanë legjitimitetin dhe besimin LDK-së dhe ‘Vetëvendosjes’, jo koalicionit ‘pam-pam’”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Megjithëkëtë, sipas Hazirit, nuk ka nevojë që vendi të shkojë në zgjedhje të sërishme. Kjo pasi, sipas tij, ajo që e bën Qeverinë do të jetë LDK-ja dhe “Vetëvendosje”.

“Nuk ka nevojë të shkojë vendi në zgjedhje. Në diskrecion, ai që e bën shumicën parlamentare, në këtë rast është LDK-VV-ja, pra 61 deputetë, që është shumicë politike dhe shqiptare, ndërsa me minoritetet shkon nga 71 deri në 82 deputetë. Pra, ne e kemi mundësinë ta krijojmë shumicën politike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, ka thënë se nuk ka asnjë mundësi që LDK-ja të bashkëpunojë sërish me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Koalicioni i pushkëve ose PAM PAM nuk është në opsion për neve sepse PDK e ka helmuar pusin ku ka pirë ujë qe 17 vite. Definitivisht PDK-ja i ka rrënuar urat e bashkëpunimit. Nuk vjen në shprehje koalicioni ose parneriteti me ta. Ata e kanë problem të bashëkpunojnë me LDK-në, për asnjë ligj, për asnjë proces politik në këtë fazë. Ndërsa, opsionet tjera janë të hapura sepse LDK-ja e ka interesin e vet”, ka shtuar ai./Zeri/.