Reagon Krasniqi: Aktivistët e Vetëvendosjes mbahen pa prova, Naser Kelmendi mbrohet në liri

Aktuale June 28, 2017 - 20:07

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, i cili ende po mbahet në paraburgim si i akuzuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore për mundësinë që iu dha Naser Kelmendit  – i kërkuar ndërkombëtarisht për krime të  organizuara, që të mbrohet në liri.

Në anën tjetër, Krasniqit dhe tre aktivistëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, të akuzuar për terrorizëm – Adea Batushës, Egzon Halitit dhe Atdhe Arifit, sot Gjykata mori vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj.

Krasniqi ka shkruar në “Facebook” se aktivistët e VV’së po vazhdojnë të mbahen në paraburgim pa asnjë provë, por sipas tij, ky do të jetë një prej episodave të fundit të regjimit kriminal të Klanit Pronto.

Lexoni të plotë reagimin e tij:

Derisa Naser Kelmendi që akuzohet për krime të organizuara të nivelit ndërkombëtar, u lirua sot që të mbrohet në liri, neve aktivistëve të pafajshëm na u vazhdua po sot arresti edhe për 2 muaj.

As edhe një provë të vetme nuk e paraqitën tash e gati 1 vit prej se po mbahemi. Pafajësia jonë u vërtetua me dhjetra herë, me prova e me fakte. As edhe njëherë nuk e thyem arrestin siç vepronin të arrestuarit e Klanit Pronto të cilët prapë liroheshin. Por këto nuk u bëjnë përshtypje prokurorëve e gjykatësve të kapur nga Klani Pronto.

Ama le ta mbajnë mirë në mend që ky do të jetë një prej episodave të fundit të regjimit të tyre kriminal. Episodi i fundit për ta, do të jetë prapa grilave.