Hoxhaj thotë se PDK e përcakton qeverinë e ardhshme
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se skenari i vetëm i Partisë Demokratike të Kosovës është se ata do ta përcaktojnë qeverinë e ardhshme.
“Skenari i vetëm i PDK-së është se ne jemi ata që e përcaktojmë qeverinë e ardhshme” , tha Hoxhaj në Zona B të Klan Kosovës, duke shtuar se këtë tashmë e kanë të qartë, dhe se pa koalicionin parazgjedhor (PAN) nuk mund të ketë institucione.
Ai u shpreh i bindur se fitorja i takon PDK-së, porse nuk duhet ngatërruar madhësia e kësaj fitoreje.
Hoxhaj besimin se ata do të dalin të parët e ka edhe në zgjedhjet lokale.
“Do të befasoheni në zgjedhjet lokale me vullnetin, entuziazmin dhe energjinë që ka për ta prodhuar Partia Demokratike e Kosovës”, tha Hoxhaj.
Ai tha se PDK bëri kompromis shumë të madh duke shkuar në koalicion parazgjedhor vetëm me qëllim që vendit t’i ofrojnë qartësi dhe ta tejkalojnë bllokadën.
Pas rezultatit preliminar të zgjedhjeve, Hoxhaj pohon se kanë marrë mesazhin si subjekt politik, por thotë se PDK çdo herë ka ditur t’i lexojë situatat, dhe do të shohë se çfarë duhet të përmirësohet në kuadër të strukturave, se çfarë përfaqësimi më të madh duhet të ketë, apo nëse duhet të fokusohen në temat socio-ekonomike se sa në agjendat shtetërore.
Hoxhaj tutje shtoi se ky vend ka nevojë për ndryshim dhe për vendime të mëdha, dhe se duhet të gjejnë forcë të krijojnë stabilitet politik e pragmatizëm politik, si dhe t’i formojnë institucionet në korrik.