Fitore e Pirros

Fitore e Pirros

Aktuale qershor 12, 2017 - 07:54

Koalicioni PDK-AAK-NISMA ka arritur të fitojë më së shumti vota në zgjedhjet e së dielës, por njëkohësisht ka shënuar humbje të madhe, në raport me votat që kishin fituar veç e veç në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014. Tri partitë politike parlamentare që u bënë bashkë me koalicion parazgjedhor nuk arritën të marrin më shumë vota se PDK-ja që kishte marrë para tri vjetëve. Revolucion elektoral ka shënuar vetëm lëvizja “Vetëvendosje”, e cila pa asnjë koalicion ka arritur t’i dyfishojë votat. LDK-ja doli më së keqi nga këto zgjedhje

Bashkimi jo gjithmonë do të thotë fuqi, ashtu sikur futja në një garë pa ndihmën e askujt jo gjithmonë do të thotë hendikep. Këtë e dëshmuan më së miri zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë, ku lëvizja “Vetëvendosje”, e cila hyri në zgjedhje pa asnjë koalicion, doli partia e vetme, e cila jo vetëm që pati rritje, mirëpo dyfishoi numrin e votuesve të saj, duke dalë partia e dytë në vend. 

“Fillimi i Ri” i Kadri Veselit, i cili mori në armatën e tij edhe dy ish-ushtarakë me nam të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn, është dashur të kënaqet me vetëm një “Fitore të Pirros”. Ky koalicion megjithëse ka dalë i pari, ka marrë rreth 12 për qind më pak sesa në zgjedhjet e vitit 2014, kur kishin garuar të vetme. 

E nëse ka një humbës të madh në këto zgjedhje, kjo është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila nuk ka arritur as në kuotën prej 30 për qind, përkundër faktit që në ndihmë kishte AKR-në e Behgjet Pacollit dhe Alternativën e Mimoza Kusarit.

Madje partia e Isa Mustafës tash edhe zyrtarisht ka humbur pozitën si partia e dytë në vend. Me këto përqindje tani sfida do të jetë në formimin e qeverisë. Koalicioni PAN, si formacioni politik më i votuar, do ta ketë një betejë jo të lehtë në formimin e ekzekutivit, pasi që me pakicat do ta krijojë vetëm shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh. (Lexoni shkrimin e plote ne numrin e sotem te gazetes Zeri ose versionin online me parapagim online.zeri.info)