Veseli bën fushatë në Drenicë, e quan zemër të Kosovës

Aktuale May 15, 2017 - 20:30

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar sot Drenicën, ku është takuar me qytetarë dhe simpatizantë të PDK-së.

Gjatë vizitës në Skenderaj dhe në Drenas, anëtarëve të PDK-së Veseli u ka thënë se në Drenicë ndihet se qëndron "mbi supe të heronjve të rënë dhe atyre të gjallë të republikës sonë".

"Mitrovica është vendlindja ime, por Skënderaji dhe Drenasi janë vendet që më kanë strehuar gjatë luftës dhe frymëzuar tani në liri", ka shkruar Veseli në faqen e tij zyrtare në Facebook.

"Kjo zonë është zemra e Kosovës", është shprehur kreu i PDK-së.

"Fillimi i Ri do të sigurojë edhe një shtysë për vende të reja të punës dhe për investime të reja në Skënderaj dhe Drenas", ka thënë Veseli.

Një ditë më parë, kreu i PDK-së ka vizituar Mitrovicën, vendlindjen e tij. Gjatë takimit me qytetarë dhe simpatizantë të partisë atje, Veseli ka bërë be se do të punojë për të gjithë qytetarët.

Ai është shprehur se mendon njësoj si për Mitrovicën, ashtu edhe për çdo qytet tjetër të Republikës së Kosovës.

Ai, po ashtu, ka thënë se mendon njësoj si për fëmijët e tij ashtu edhe për çdo fëmijë të vendit. 

“Në qoftë se nuk mendoj si për fëmijët e mi, për çdo fëmijë të atdheut tim, familjeve tona, në qoftë se nuk mendoj si për Mitrovicën time, për çdo qytet të Republikës së Kosovës, mos qoftë as politika, as Kadri Veseli, as unë në politikë”, ka thënë Veseli.