Isa Mustafa s’hyn as në listën e LDK’së për deputet
Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ka vendosur të mos jetë as në listën e kandidatëve për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Këtë vendim e ka marrë pasi ka vendosur të mos jetë kandidat i LDK’së për Kryeministër.
Mustafa tha sot se do t’iu lë hapësirë të rinjve për ta mundur Partinë Demokratike të Kosovës.
“Ne nuk do të punojmë me parulla të fillimit të ri me vese dhe praktika të vjetra, ne do të u japim shans njerëzve të rinj, dhe do të ofrojmë perspektivë për vendin dhe ju sigurojë që do të ofrojmë kryetarë komunash e ministra të mrekullueshëm që dhanë shembull se si duhet qeverisur vendi", ka deklaruar Kryeministri në largim.
Lideri i LDK’së, Isa Mustafa na vitet e fundit, ka shënuar katër humbje të mëdha, duke u nisur nga pozita e Kryetarit të Prishtinës; humbjen e dy palë zgjedhjeve dhe së fundmi edhe pozitën e Kryeministrit.
Sidoqoftë, Mustafa ka hequr dorë nga pozita e Kryeministrit por ka thënë se do të vazhdojë të mbetet lideri i LDK’së.
Ndryshe, në LDK, kishin dalë disa zyrtarë, duke kërkuar largimin e Isa Mustafës nga partia. I fundit ishte Kryetari i Nderit i LDK’së, Fatmir Sejdiu, i cili kërkoi përgjegjësi nga Mustafa për humbjet e LDK’së dhe për prishjen e koalicionit me PDK’në.
Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të mbetet partia e dytë prej fundvitit 2007 kur PDK doli parti e parë.