Burjani: Me këto parti që kemi, Kosova nuk do të largohet nga kolapsi as pas zgjedhjeve

Aktuale May 12, 2017 - 19:54

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, thotë se Kosova nuk ka pasur nevojë fare për zgjedhje të parakohshme. Sipas tij këto zgjedhje nuk do të prodhojnë zgjidhje por vetëm situatë jostabiliteti, duke shtuar se në rast se fitojnë partitë e njëjta që ishin në pozitë dhe në opozitë, siç thotë ai, Kosovën e pret një ngërç i ri.

Ai në një prononcim për “Zeri.info” vlerëson se në këto zgjedhje do të këtë rënie të elektoratit.

“Nuk ka pasur nevoje fare për këto zgjedhje të cilat nuk do të prodhojnë zgjidhje por do të prodhojnë ngërç, situatë jostabiliteti. Kosova, pra shteti ynë, do të gjendet para sfidave të mëdha nëse të njëjtit fitojnë serish, pra nëse këto parti që ishin pjesë e pozitës dhe opozitës, shtetin e pret një ngërç i ri, inatet personale dhe partiake, zhvatje të buxhetit, varfëri e gjithçka tjetër. Por nëse veç fiton ndonjë subjekt i ri i cili nuk ishte fare pjesë e Parlamentit, pra në skenë të jetë një parti e re, mund të jetë një shpresë për qytetarin. Këto subjekte politike qe 17 vjet kanë sjellë trazira dhe konflikt politik, kanë përçarë popullin dhe nuk kanë bërë gjë tjetër. Pra pse të votohen këta njerëz të deritashëm të cilët pa dallim janë të përgjegjshëm, për stagnim të realizmit të të drejtave të qytetarëve, siç janë liberalizimi i vizave, zhvillimi ekonomik, Demarkacioni. Andaj nuk ka perspektivë shteti ynë të cilin duhet ta ndërtojmë dhe ta zhvillojmë, të kemi rend dhe ligj, të ndalet korrupsioni, nepotizmi e të gjitha të tjerat, Kosovës nuk i duhen këto zgjedhje fare, Kosovës dhe qytetarëve u duhet zbatimi i projektit”, ka thënë Burjani për “Zeri.info”.

Ai po ashtu ka thënë se rënia e elektoratit në këto zgjedhje pritet të jetë e madhe.

“Rënia e elektoratit në këto zgjedhje pritet të jetë e madhe, partitë si LDK-ja dhe PDK-ja mbeten parti ende me fuqi më të madhe në vend edhe pse përderisa dy subjektet politike në opozitë e kanë të vështirë ta kalojnë pragun zgjedhor, VV-ja do të reduktohet me vota dhe mund të jetë prapë një opozitë e konsiderueshme”, thotë Burjani.

Duke folur për koalicionet e mundshme Burjani ka thënë se më së miri do të ishte të ketë koalicion LDK-ja,VV-ja e AAK-ja, për të ndalur, siç thotë ai, fitoren eventuale të PDK-së.

“Tash varet se a do të ketë koalicion parazgjedhor, LDK-ja po flet kapak me VV-në, por ende nuk ka asgjë. PDK-ja po rri e po pret, edhe pse PDK-ja me vete mund të ketë ADK, Alternativen e Mimoza Kusarit. Më së miri do të ishte të ketë koalicion LDK-ja,VV-ja, AAK-ja, për të ndalur fitoren e eventuale të PDK-së, edhe pse ky subjekt e di sa vota i ka tash dhe sa dalin për të, me votues është parti e klienetles”, ka theksuar Burjani./Zeri/.