Pashkët, riten masat e sigurisë për parandalimin e ngjarjeve terroriste

Pashkët, riten masat e sigurisë për parandalimin e ngjarjeve terroriste

Aktuale prill 14, 2017 - 09:27

Me qëllim parandalimin e ngjarjeve me karakter terrorist, Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri gjatë festës së Pashkëve.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit shqiptar, thotë se, ka kaluar në shërbim të përforcuar me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë me rastin e Festës së Pashkëve.

Ndërsa dje, ambasada amerikane shpërndau një njoftim për të gjithë shtetasit amerikanë që jetojnë në vendin tonë, në lidhje me sigurinë që duhet të kenë në raste festash nga sulme të mundshme terroriste. 

“Në këtë kuadër janë marrë në drejtim të rritjes së prezencës policore në  territor, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale. Të ruajtjes së rendit dhe të sigurisë në objektet fetare si dhe në ambientet ku do zhvillohet festa e pashkëve. Në drejtim të rritjes së sigurisë rrugore, duke shtuar patrullimet e Policisë Rrugore në akset nacionale dhe akset kryesore rurale”, sqaron policia.

Masa janë marrë edhe nga Policia Kufitare në burime njerëzore dhe infrastrukturore.

 “Në këtë kuadër në porte, aeroport dhe në pikat e kalimit kufitar, janë shtuar sportelet me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore  për të gjithë shtetasit vendas e të huaj që do të hyjnë apo dalin nëpërmjet pikave të kalimit porteve dhe aeroportit duke shmangur vonesat dhe radhët e gjata”, njofton Policia e Shtetit. /Gazeta Express/