Limaj: Presidenti Thaçi shkeli Kushtetutën për ushtrinë, ra në kurthin e vet

Aktuale April 06, 2017 - 22:38

Kryetari i Nisma, Fatmir Limaj ka thënë se Iniciativa e presidentit Hashim Thaçi për transformimin e FSK-së në ushtri është anti-kushtetutese.

“Nuk guxon presidenti të marrë veprimet anti-kushtetuese, është e dënueshme, imagjinojeni kur këtë e bën presidenti”, ka thënë Limaj, njofton Klan Kosova.

“Presidenti nuk guxon me ndërmarrë veprime anti-kushtetuese”, ka pohuar Limaj në “Zona e Debatit”.

Sipas Limajt, Thaçi ka nisur një lojë ku është munduar të ndërtojë një kurth që në fund ka rënë vetë.

“Ai ose nuk ka këshilltar të duhur, ai duhet ta dërgojë në Kushtetutë, para se ta qojë në Kuvend”, ka theksuar Limaj.

“Ai ligj ka prekë Kushtetuesen, është shkelur Kushtetuta. Si të miratohet ligji në atë mënyrë, Lista Serbe e kish dërguar në Kushtetuese dhe ish shkarkuar presidenti”, ka shtuar ai.
Më tej ka thënë se nuk ka parti politike që nuk e mbështet transformimin e FSK-së.

“Nuk është detyrë e imja me i tregu rrugën presidentit për veprimet ligjore, ai ka një ekip të madh pas vetes”.

Limaj ka thënë se nëse do ta vazhdonte si procedurë transformimi i FSK-së, do të ishte më keq për Thaçin.

Megjithatë Limaj ka thënë se Kosovës i duhet urgjent ushtria.

“FSK ka ardhur këtu, projekti FSK dhe TMK është projekt embrion nga UÇK që është rritur me partneritetin e NATO-s. E kaluara dhe e ardhmja e Ushtrisë është e lidhur ngushtë me NATO-n”, ka përfunduar Limaj.