Jo të gjithë serbët janë të interesuar për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë
Jo të gjithë serbët e veriut të Mitrovicës dhe të Kosovës janë të interesuar për zgjedhjet presidenciale të Serbisë. Madje ka të tillë që thonë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje me gjithë presionin që bëhet mbi ta. Zhivojin Milkoviq, thotë se asnjëherë nuk i kanë interesuar zgjedhjet e Serbisë pasi që, siç thotë ai, jeton dhe punon në Kosovë pa u brengosur për të ardhmen e vet.
“Zgjedhjet për president të Serbisë nuk më interesojnë, unë jam qytetar i Kosovës dhe përpiqem që të bëj jetë normale. Nuk merrem me politikë dhe nuk do të dëshiroja që as serbët e tjerë të jenë pre e subjekteve dhe të liderëve të ndryshëm politikë. Unë di për shumë serbë që nuk u interesojnë zgjedhjet e Serbisë, por mbi ta bëhet presion dhe detyrohen të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për ata që u rekomandohet”, pohon Milkoviq.
Se vërtet një pjesë e madhe e serbëve të veriut të Kosovës janë kthyer nga institucionet e Kosovës dhe se u interesojnë shumë zgjedhjet serbe tregon rasti i një grupi të biznesmenëve serbë të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe të Zubin Potokut, të cilët i janë drejtuar Prishtinës me kërkesën për t’i ndihmuar me grante të ndryshme. Ata madje edhe kanë shkuar në Prishtinë, të enjten, për të mësuar si të marrin grante nga Qeveria e Kosovës për t’i zhvilluar veprimtaritë e tyre. Deri më tani nuk ka ndodhur që ndonjë biznesmen apo fermer i veriut të Kosovës të jetë interesuar të aplikojë për të përfituar në grante dhe subvencione që çdo vit ndahen nga Qeveria e Kosovës. Njëri prej tyre, Miodrag Miliqeviq, ka thënë se çështjet ekonomike janë të rëndësisë vitale për zhvillimin e të gjitha bashkësive nacionale në Kosovë dhe se takimi me autoritet e Prishtinës do të jetë kontributi i avancimit të bashkëpunimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të veriut të Kosovës dhe institucioneve qendrore të Kosovës.
Në anën tjetër, disa subjekte politike opozitare serbe konsiderojnë se më 2 prill është duke u përgatitur vjedhje e votave për Aleksandar Vuçiqin. Lëvizja “Dveri”, e cila garon në zgjedhjet për president të Serbisë me kandidatin Boshko Obradoviq, ka alarmuar se është duke u përgatitur vjedhje masive e votave për Aleksandar Vuçiqin.
“Serbët që punojnë në institucionet komunale serbe dhe në ndërmarrjet publike në Kosovë e Metohi u janë nënshtruar kërcënimeve brutale, shantazheve dhe frikësimeve nga ana e regjimit të Vuçiqit. Në mënyrën e njëjtë për frikësimin e punëtorëve të ndërmarrjeve në Serbinë Qendrore që ta mbështesin kandidatin e SNS-së, Aleksandar Vuçiq. Edhe punëtorëve në krahinën jugore hapur janë kërcënuar se do t’u merret 30 për qind e pagës nëse nuk do të shkonin në mitingun e Vuçiqit në Leposaviq. Zgjedhjet në Kosovë e Metohi do të jenë të parregullta”, ka thënë Boshko Obradoviq, kryetar i lëvizjes “Dveri”. /ZERI/