Shumë shpejt me ushtri të Kosovës

Aktuale March 04, 2017 - 08:11

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, shpreson se Kosova shumë shpejt do ta ketë ushtrinë e vet. Ai pranon se vendi nuk është imun ndaj rreziqeve që i kanosen çdo ditë, por falë pranisë së KFOR-it situata e sigurisë në Kosovë është stabile

Krijimi i ushtrisë së Kosovës, gjegjësisht shndërrimi i FSK-së në FAK (Forca të Armatosura) është vendim politik për të cilin nuk mund të jepet një interval i caktuar kohor se kur do të realizohet një gjë e tillë. Kështu ka deklaruar komandanti i FSK-së, gjeneralejtnant, Rrahman Rama, i cili megjithëkëtë në një intervistë për gazetën “Zëri” është shprehur optimist se ky vendim do të vijë së shpejti.

Rama tutje ka thënë se përgjatë tetë vjetëve prej se TMK-ja është shndërruar në FSK, Forca e Sigurisë së Kosovës ka pasur sfida të ndryshme, porse ka arritur sukses në shumë aspekte, si në ngritjen profesionale të stafit, procedurat e standardeve operative, etj.

Gjatë kësaj interviste, komandati Rrahman Rama, pavarësisht asaj që tha se krijimi i ushtrisë është vendim politik, vlerësoi se institucionet janë duke punuar në këtë drejtim.

“Është vendim politik, siç e dini, dhe unë jam i sigurt që përkushtimi i institucioneve të Kosovës tash është më i madh, duke e parë nevojën, duke i parë ato rreziqet që po i kanosen për çdo ditë edhe vendit tonë, se nuk jemi imunë ndaj rreziqeve, por edhe në regjion dhe në kuptimin global”, ka theksuar Rama.

Gjatë kësaj interviste ai ka folur edhe për bllokimin e ushtrisë që po ia bën Lista Serbe, për atë se a iu lejohet dalja në veri të Mitrovicës si FSK, a kishin marrë urdhër për të dalë në këtë pjesë në rast të eskalimit të situatës, kur treni rus ishte nisur nga Serbia, e për shumë çështje të tjera, të cilat mund t’i gjeni në intervistën e plotë.

Zëri: Tashmë ka 8 vjet qysh prej se TMK-ja është kthyer në FSK. Cilat janë sfidat dhe të arriturat e FSK-së përgjatë kësaj periudhe kohore?

Rama: Ne aktualisht si Forcë e Sigurisë së Kosovës jemi duke i kryer detyrat tona, duke u bazuar në Kushtetutën dhe në ligjet e Kosovës, dhe siç e dini, të gjitha obligimet që dalin nga institucionet e Kosovës, duke u bazuar në ligje, në shërbim të institucioneve, por edhe në shërbim të të gjithë qytetarëve. Siç e dini, në 2013-ën janë deklaruar kapacitetet e plota operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga këshilli veriatlantik ose nga NATO-ja, dhe normalisht që sfidat ekzistojnë. Çdo mision i ri i ka sfidat e veta,  por falë përkushtimit të të gjithëve, kemi arritur ta plotësojmë një standard. Dhe të arriturat janë të shumta, duke filluar prej ngritjes profesionale të stafit tonë të të gjitha niveleve, që nga niveli i lartë, ai i mesëm, por edhe niveli më i ulët. Dhe duke marrë parasysh ngritjen profesionale, menaxhimin e burimeve njerëzore, kapacitetet logjistike, procedurat e standardeve operative, qofshin ato në nivelin operacional strategjik, operacional dhe taktik, por që e kemi pasur edhe një përkrahje të jashtëzakonshme nga vetë NATO-ja. Dhe mund të them që gjithçka që kemi bërë, kemi bërë bazuar në standardet e NATO-s. Të gjitha këto që i kemi arritur, falë edhe përkushtimit të të gjithë pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, por edhe përkrahjen që e kemi pasur nga NATO-ja dhe partnerët tanë strategjikë.

Zëri: Për disa vjet me radhë është thënë se FSK-ja do të kthehet në Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK). Mirëpo siç dihet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur as sot. A ka diçka në këtë drejtim?

Rama: Çka mund të them në kuptimin profesional, ne i mbajmë këto kapacitete, dhe synimi ynë është që t’i mbajmë ende këto kapacitete sepse kemi nevojë për to ne si “forcë”, por edhe si Kosovë. Kështu që, gjithmonë të jemi në shërbim të qytetarëve, duke marrë parasysh edhe që Forca e Sigurisë është bërë ndër institucionet më të respektuara viteve të fundit në Kosovë, por që është një forcë multietnike, që është në shërbim të të gjithë qytetarëve, por gjithmonë duke punuar dhe duke menduar për të ardhmen. Kjo është një sfidë dhe një proces i Kosovës, por pjesë e kësaj është edhe forca. Ne si forcë i kemi marrë të gjitha përgatitjet si ministri e FSK-së, por edhe si FSK, i kemi marrë të gjitha masat, duke u bazuar në rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë, rekomandimet që kanë dalë në 2014-ën. Ne kemi pasur një bashkëpunim dhe një koordinim me të gjithë partnerët tanë dhe kemi pasur një ekip nga SHBA-ja, një ekip shumë profesional, që bashkërisht me ne, kemi ndërtuar planin afatgjatë të shndërrimit se si ne e mendojmë, si e vlerësojmë transformimin, ose tranzicionin prej Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur.

Zëri: Kur prisni që Kosova ta ketë ushtrinë e saj?

Rama: Është vendim politik, siç e dini, dhe unë jam i sigurt që përkushtimi i institucioneve të Kosovës tash është më i madh, duke e parë nevojën, duke i parë ato rreziqet që po i kanosen për çdo ditë edhe vendit tonë, se nuk jemi imunë ndaj rreziqeve, por edhe në regjion dhe në kuptimin global. Dhe përkushtimi i institucioneve tash është më i madh. Ju e keni parë edhe një rezolutë që është aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Qëllimi ynë është që çdo vendim që do të merret, ne jemi të thirrur që t’i zbatojmë vendimet politike, sepse kontrolli civil demokratik mbi “forcën” është standard. Dhe çfarëdo vendimi që merret, ne jemi të gatshëm ta zbatojmë, duke u bazuar gjithmonë në planet tona që kemi qenë të kujdesshëm gjatë gjithë kohës.

Unë besoj dhe shpresoj që shumë shpejt do ta kemi edhe vendimin për ushtrinë. Por që nuk varet prej neve. Obligim dhe detyrë e imja dhe e gjithë stafit është që vendimet politike dhe planet tona që i kemi njoftuar të gjithë akterët, të jemi të gatshëm, të përgatitur, t’i zbatojmë ato plane, qoftë në ngritjen profesionale, në menaxhimin e burimeve njerëzore, kapaciteteve logjistike, të pajisjeve, duke u bazuar në vlerësimet e përgjithshme që bëhen.

Zëri: A ka pasur sinjal për ndonjë interval kohor, fjala vjen që pas kaq vitesh Kosova do ta ketë ushtrinë?

Rama: Ne kemi qenë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet. Problemet që janë të ditura, që i kemi me Listën Serbe, por ne kemi pasur takime të ndërsjella edhe me deputetë, por edhe me ministra, zëvendësministra dhe ne i kemi informuar për të gjithë procesin, se ku jemi, cilat janë idetë dhe mendimet. Dhe Kosova nuk është e interesuar që ta bëjë një forcë që në njëfarë forme paraqet rrezik për të tjerët, por ne si shtet, kemi nevojë t’i kemi forcat tona, ta kemi forcën e armatosur që është në shërbim të qytetarëve që krijojnë një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe që nesër-pasnesër ta ketë mundësi të kontribuojë në misionet paqeruajtëse.

Zëri: Lista Serbe, siç edhe e përmendët, është duke e bllokuar qe një kohë ushtrinë. A do të duhej edhe deputetët serbë të votonin pro ushtrisë, kur dihet se ajo do të jetë forcë multietnike?

Rama: Forca e armatosur në të ardhmen do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe është një forcë multietnike dhe qëllimi ynë është që çfarëdo misioni të ketë, të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë të jenë pjesë e kësaj strukture. Dhe absolutisht, inkurajoj të gjithë të votohet sepse është në të mirën e gjithë qytetarëve. Nuk është interes i Kosovës që të paraqesë rrezik për ndokënd, por një forcë që është në shërbim të qytetarëve pa dallime dhe një forcë që krijon një ambient të sigurt për qytetarët e vet.

MST: Pa u koordinuar me NATO-n e KFOR-in FSK-ja nuk del në veri

Zëri: Pos listës serbe a ka tjetër fajtor në këtë mes, në moskrijimin e ushtrisë?

Rama: Jo, unë nuk e di, më shumë se që janë çështje politike, por e di që realisht forca duhet të ndërtohet me të gjithë akterët, qofshin nacionalë dhe internacionalë, qofshin me faktorin e brendshëm, por edhe me të jashtëm, sepse qëllimi ynë, si Kosovë dhe si forcë në të ardhmen, është që të jemi pjesë e NATO-s. Dhe unë e përmenda, gjithçka që kemi bërë, e kemi bërë në bazë të standardeve të NATO-s, qoftë në edukimin dhe zhvillimin e oficerëve dhe nënoficerëve, por edhe në pajisje dhe të gjitha elementet. Dhe qëllimi i krejt kësaj është që të jemi të ndërveprueshëm me partnerët tanë, qoftë në kuptimin profesional, të ngritjes profesionale, por edhe në kuptimin e pajisjeve, sepse në qoftë se ti do të jesh pjesë e një strukture që është në interes të vendit, duhet të jesh i ndërveprueshëm në të gjitha elementet për të qenë të suksesshëm. Por unë nuk kam parë ndonjë sfidë tjetër, janë këto probleme politike dhe ne duhet të vazhdojmë, që të punojmë dhe të kemi institucionin që realisht ka nevojë vendi. 

Zëri: Tash së fundi ka pasur disa provokime në veri, siç ishte edhe treni rus i nisur nga Serbia. A ka pasur urdhër FSK-ja që të ndërhynte në këtë pjesë po që se situata do të eskalonte?

Rama: Jo, ne dihet misionin aktual që e kemi, dihet që ne jemi në mbështetje të autoriteteve civile, sepse jemi të thirrur bazuar në mandatin kushtetues dhe ligjor. Ne nuk kemi pasur ndonjë urdhër ose diçka tjetër, por që ne jemi, prapë po e them, në shërbim të institucioneve dhe qytetarëve të vendit.

Zëri: A ju lejohet dalja në veri si FSK konkretisht?

Rama: Realisht, të jem i sinqertë, kemi një marrëveshje këtu me KFOR-in dhe NATO-n, jo që ndalohet, por që e kemi një marrëveshje që pa koordinim me NATO-n ose KFOR-in këtu, ne jo që nuk jemi të lejuar, por që duhet t’i koordinojmë të gjitha aktivitetet bashkërisht, që të jemi pjesë edhe në pjesën veriore.  Ne si ‘forcë’ jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallime. Ne jemi të gatshëm me të gjitha kapacitetet që i kemi, që të jemi në shërbim, pa dallim a është pjesë veriore, a jugore, a është në lindje apo perëndim. Domethënë, ne jemi të gatshëm, por që ekziston një marrëveshje për shkak të gjendjes politike, ne e respektojmë. Ne kemi pasur intervenime edhe në pjesën veriore vitin e kaluar, i kemi bërë bashkërisht në koordinim me KFOR-in. 

 Këtë vit pritet të dalin 7 oficerë

Zëri: Si është bashkëpunimi i FSK-së me ushtritë e vendeve të rajonit e më gjerë?

Rama: Absolutisht ne kemi një bashkëpunim dhe koordinim shumë të mirë me të gjitha shtetet, përveç Serbisë për arsye politike. Në të gjitha vendet e tjera ne kemi bashkëpunim dhe kemi memorandume bashkëpunimi ose marrëveshje bilaterale dhe kemi marrë pjesë edhe në aktivitete të përbashkëta vitin e kaluar, kemi marrë pjesë në katër ushtrime të përbashkëta, qoftë në Shqipëri, qoftë në Slloveni, në Kroaci, qoftë edhe në Gjermani e vende të tjera, me qëllimin më të mirë, që të jemi të ndërveprueshëm në të gjithë regjionin, por edhe më gjerë. Dhe kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm, në kuptimin e bashkëpunimit jo vetëm të ngritjes profesionale, por edhe të procedurave, standardeve operative që janë të bazuara në standardet e NATO-s.

Zëri: Na flisni pak për trajnimet e stafit të FSK-së, ku dhe si realizohen ato? 

Rama: I kemi kushtuar një rëndësi të veçantë ngritjes profesionale. Dhe që nga niveli i lartë, i mesëm e edhe i ulët, kemi pasur trajnime të ndryshme, duke përfshirë aty trajnime individuale dhe kolektive, gjithmonë duke u bazuar në standardet e NATO-s. Çka ne mund të themi, e kemi institucionin tonë fillimisht, domethënë komandën e doktrinës dhe të stërvitjes, që të gjithë instruktorët janë të licencuar, të certifikuar, duke u bazuar në standardet e NATO-s. Dhe kemi qendrën tonë universitare, që ne në një formë prodhojmë oficerë për çdo vit, që është gjithmonë bazuar në konceptin dhe doktrinën amerikane dhe pas përfundimit të tyre, i çojmë nga një vit qoftë në SHBA. Kemi gjashtë vende që realisht kanë ushtri më të avancuar. Vitin e kaluar i kemi pasur dy kadetë tanë në SHBA, në Britani të Madhe, në Turqi, Kroaci, Gjermani dhe Maqedoni. Domethënë, në gjashtë vende ne i edukojmë, i trajnojmë, në kuptimin e ngritjes profesionale në akademitë ushtarake që janë ushtritë më të avancuara.

Zëri: A keni ndonjë shifër se sa oficerë dalin për çdo vit?

Rama: Varet prej gjeneratës që e kemi, vitin e kaluar i kemi pasur 12 oficerë, këtë vit do t’i kemi 7 dhe për çdo vit janë të planifikuar varësisht prej gjeneratës që ne i kemi mundësitë dhe kemi kapacitet, por gjithmonë ne bëjmë një analizë sa kemi nevojë. Sa na shkojnë dhe sa vijnë të tjerë. Dhe duke u bazuar në analizat tona, ne e bëjmë edhe kampanjën e rekrutimit, e kemi numrin e caktuar që ata zhvillohen dhe e kryejnë edhe akademinë. Njëkohësisht e kryejnë edhe edukimin civil, por edhe edukimin ushtarak. 

Zëri: Në çfarë niveli janë kapacitetet e FSK-së aktualisht? A ka nevojë të rritet numri i pjesëtarëve?

Rama: Ne e kemi planifikuar strukturën e ardhshme. Aktualisht jemi 2500 aktivë dhe 800 rezervë, por në të ardhmen është planifikuar që të jemi 5000 aktivë dhe 3000 rezervë. Domethënë, në krejt analizat që janë bërë, Kosova ka nevojë për dyfishimin e numrit të aktivëve, në të njëjtën kohë, edhe në rezervë.

Brenda 10 vjetësh FSK-ja do ta dyfishojë numrin

Zëri: A ka ndonjë interval kohor se kur pritet të dyfishohet numri?

Rama: Nuk e dimë. Tash krejt varet prej vendimit politik, se kur do të merret. Duke u bazuar në planet tona, ne llogarisim që në afatin 10-vjeçar, t’i kemi të gjitha kapacitetet e plota, duke u bazuar në misionet e reja, por edhe numri të ngrihet.

Zëri: Sa jeni të kënaqur me buxhetin e FSK-së që Qeveria e ka ndarë për vitin 2017?

Rama: Realisht mund të them që kemi qenë të kënaqur, kemi pasur edhe diskutime edhe me akterët e tjerë dhe duke u bazuar në misionin aktual që e kemi, numrin aktual që kemi dhe duke u bazuar në planet tona, ne mendojmë që është një buxhet i mjaftueshëm aktualisht, me misionin aktual, me numrin aktual. Është një buxhet komod që ne mund t’i kryejmë të gjitha aktivitetet tona. Por që për të ardhmen ekziston një marrëveshje me Ministrinë e Financave, që kurdo që të merret vendimi për ndryshimin e mandatit dhe detyrat e reja që do të dalin, do të kemi buxhet shtesë.  

Zëri: Vendet e rajonit po vazhdojnë të blejnë armatim, së fundi Serbia u pajis me 6 aeroplanë rusë e disa tanke. Kurse Kosova po rri e heshtur në këtë drejtim. A është lënë në plan të dytë fuqizimi i sigurisë sipas juve?

Rama: Duke marrë parasysh statusin e Kosovës, që ne e kemi NATO-n, konkretisht KFOR-in dhe akterët e tjerë, nuk mendoj që Kosova ka mbetur mbrapa prej gjithë këtyre proceseve, në kuptimin e sigurisë. Ne e shohim që është një situatë e brishtë, me indikacione që mund të eskalojnë, por mund të them që situata në regjion është stabile, pavarësisht që mund të ketë eskalime. Secili shtet i ka strategjitë e veta, i bën analizat e veta, dhe varet prej shtetit se cili është prioriteti i tyre. Në këtë rast, edhe Serbia edhe vendet e tjera e kanë vlerësuar në kuptimin strategjik, që kanë nevojë dhe është çështje e brendshme e tyre. Por, ne si Kosovë duhet t’i bëjmë detyrat tona dhe t’i kryejmë obligimet tona. Po them që kemi nevojë për një “Forcë” të re, me mision dhe me detyra të reja. Dhe në aspektin e sigurisë nuk shoh ndonjë problem, por që është sfidë e brendshme që e ka deklaruar edhe sekretari i NATO-s, që është çështje e brendshme e Kosovës, që ne të marrim hapa konkretë që ta ndërtojmë “forcën” e armatosur dhe janë procese në zhvillim. Çështja e ushtrisë është në njëfarë forme art. Nuk mund të themi që nesër ne do t’i kemi 5000. 

Zëri: Atëherë a do të duhej që Kosova të vepronte në këtë drejtim?

Rama: Kosova hapin e parë e ka vendimin politik të shndërrimit të forcës dhe të gjithë po pajtohemi që ka nevojë. Dhe hapat e tjerë mandej do të merren.