Arbana Xharra i përgjigjet ambasadores turke në Kosovë
E nderuar Ambasadë e Republikës së Turqisë në Prishtinë
Kjo nuk është hera e parë që reagoni ndaj përmbajtjeve të shtypit të lirë në vendin tonë. Madje keni shkuar edhe më larg duke kërkuar edhe penalizimin e fjalës së lirë se nuk del në përputhje me politikat e shtetit tuaj. Mospajtimi që manifestoni është krejt i natyrshëm, sidomos për shtetet që brenda tyre viteve të fundit e kanë bërë praktikë normale mbylljen e medieve, ndalimin e intervistave të shkrimtarëve me famë botërore, arrestimin e mijëra e mijëra pedagogëve, civilëve e aksioneve të llojit që nuk kanë të bëjnë me shtetet pluraliste demokratike. Po kjo është punë e juaja. Ju veproni ashtu siç e bëni vendin tuaj e ne do të shkruajmë e raportojmë, do të analizojmë se çka shohim atje në saje të fakteve konkrete.
Tashti reagoni kundër intervistës së profesorit ndërkombëtarisht të njohur, David Phillips, respektivisht kundër intervistës me të që gazeta “Zëri” e botoi më 24 shkurt 2017. Na kërkoni tani që t’ju kërkojmë edhe leje juve se më kë do të bëjmë intervista, e më kë jo? Kaq të pushtetshëm ndiheni?
Harrojeni këtë.
Në reagimin tuaj thoni se: intervistat e shkrimet e tilla «kanë për qëllim ta vënë në përçarje popullin kosovar dhe atë turk të cilët ndër shekuj ndajnë histori dhe kulturë të përbashkët». Kjo është një akuzë e rëndë, të cilën duhet ta tërhiqni prapë. Ne nuk punojmë për qëllimet e askujt, këtë me siguri e ndieni pasi nuk mundeni të ndikoni tek ne.
Le t’i sqarojmë disa akuza që na i bëni, një nga një:
1.
Ne nuk ndajmë kulturë të përbashkët me turqit. Jemi ndryshe – shqiptarë. Histori të përbashkët po, kemi: si popull trashëgues i perandorisë osmane merrni barrën mbi supe për krimet, pushtimin dhe kulturocidin ndaj qenies, gjuhës dhe kulturës shqiptare që e keni ushtruar për pesë shekuj mbi ne. Kështu na mësojnë faktet dhe historiografitë e shumta përveç asaj turkes, nesoosmanes që jeni duke u përpjekur ta impononi.
2.
Ne nuk bëjmë asnjë përçarje. Përkundrazi mediet e shumta dhe institucionet e vendit përpiqen ta riparojnë përçarjen që e keni shkaktuar ju nëpërmjet kategorive të ndryshme të shoqërisë. Nuk është e rastësishme sipas infiltrimit tuaj (Tika dhe organizata tjera) në strukturat religjioze, arsimore e politike të vendit nisi edhe dukuria e mohimit publik dhe fyerjes së personaliteteve konstituive të identitetit tonë që e ruajmë me fanatizëm që nga lashtësia e deri më sot.
3.
Ne nuk mohojmë faktin se ju investoni ku të mbërrini. Po ta bënit këtë pa synimin e turqëzimit dhe ndikimit që edhe ne të kthehemi në sisteme autokratike, siç e praktikoni në vendin tuaj, do të ishim miqtë më të mëdhenj të botës ndoshta, por jo, ju e bëni për të na bindur ne se nuk paskemi qenë të pushtuar por dashnorë. Nuk është kështu. Është e drejta jonë, ashtu si e çdo populli tjetër që ta përpunojë historinë e tij sipas fakteve. Ne nuk kërkojmë përgjegjësi nga populli i sotëm turk për krimet e perandorive në shekujt e kaluar, por nëse ju ngulni këmbë të na quani vëllezër se kemi qenë robër, jo. Historia jonë e përbashkët është negative, ardhmërinë mund ta ndërtojmë ndryshe, por jo duke u thirrur në të si vlerë, se nuk është, nuk e ndiejmë ashtu.
4.
Nuk besoj se Ambasada e një vendi si Turqia e sotme mund të mbajë ligjërata për etikë gazetarie. Ne nuk shpifim, por i tregojmë dhe i shkruajmë gjërat konform asaj që regjistrojmë, analizojmë, jo për t’ju hidhëruar juve dhe shtetin tuaj, ngase nuk është ai qëllimi ynë, por për ta shpjeguar opinionin tonë dhe për ta mbrojtur atë nga agjenda destruktive si ajo ruse, serbe e të llojit, me të cilat ju keni po ashtu partneritet.
5.
Logjika dhe lexuesi kosovar natyrisht se lexojnë synimet e juaja dhe tekstet tona drejt. Ne që jemi bërës mediesh jemi po aq edhe lexues, qytetarë të këtij vendi dhe ndiejmë obligim parësor të alarmojmë dhe iluminojmë lexuesin tonë duke i dhënë për lexim versione sa më të shumta të rrëfimeve që ata të vendosin vetë se çka është e drejtë e çka jo. Ne botojmë reagimin tuaj, punët dhe aktivitetet e juaja dhe ato të të tjerëve, mendimet e zotit Phillips dhe të tjerëve.
Dhe në këtë drejtim, e nderuara Ambasadë e shtetit turk, nuk do të na ndalni kurrë. Prapa teksteve tona nuk qëndrojnë “persona e iniciativa” të caktuara kundër popullit turk, lirisë dhe demokracisë, miqësive në parim, por prapa tyre qëndron fryma e gazetarëve të pavarur që nuk iu përkulën në të kaluarën diktateve të diktaturave të ndryshme e s’kemi pse ta bëjmë këtë as kur na e kërkon Turqia, në shtet, në vendin e vetë që sheh ëndrra perandorake edhe në shekullin 21.