Ekspertët: Kosova humb territor, Mali i Zi rritet

Aktuale February 25, 2017 - 08:20

Ekspertët e pavarur kanë paraqitur fakte të reja për vijën e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, me ç’rast kanë thënë se deklaratat se sipërfaqja e Kosovës është rritur nuk qëndrojnë. Sipas tyre, me Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi Kosova humb territor, ndërsa territori i shtetit fqinj rritet për rreth 70 kilometra katrorë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Shefi i Departamentit të Gjeografisë, Shpejtim Bulliqi, i cili është edhe deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se deri më tash ky Komision ka prezantuar një sërë faktesh për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, porse këto fakte çdoherë kanë hasur në vesh të shurdhër. Megjithatë, ai ka thënë se hulumtimi i fundit i tyre tregon se Komisioni Shtetëror ka bërë gabime.

“Në rast të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje në Parlamentin e Kosovës, Mali i Zi do ta rrisë sipërfaqen. Shikuar historikisht, Mali i Zi sipas të gjitha publikimeve të Entit Federativ për Gjeodezi të ish-Jugosllavisë dhe institucioneve gjeodezike të Malit të Zi nga viti 1945 deri më vitin 2015 kishte më pak sipërfaqe sesa pas demarkimit. Sipas të të njëjtave rezultate edhe pas demarkimit të kufirit Mali i Zi duhet t’i kishte 13 812 km2, por pas nënshkrimit të marrëveshjes rezulton të ketë më shumë”, ka deklaruar Bulliqi.

Sipas deputetit të LDK-së, Mali i Zi historikisht në të gjitha organizatat ndërkombëtare (OKB, BE, NATO etj) ka aplikuar dhe është pranuar duke u vetëprezantuar si shtet me sipërfaqe prej 13 812 km2. Megjithatë, sipas tij, nëse ratifikohet marrëveshja e vitit 2015, Mali i Zi do ta rrisë sipërfaqen e tij për rreth 70 kilometra katrorë, nga 13 812 km2 në 13 882.44 km2.

Më tej ai ka thënë se grupi i ekspertëve nuk do të japë shifra për territorin e Kosovës, për faktin se Kosova nuk e ka bërë demarkacionin e kufirit me të gjitha shtetet fqinje. 

Bulliqi ka thënë se nëse dikush thotë se Kosova nuk po humb territor, atëherë duhet të sqarojë se si po rritet territori i Malit të Zi.

“Nëse strukturat relevante publike dhe shkencore të Kosovës pas matjes së territorit këmbëngulin se Kosova nuk humb territor, do ta kenë shumë të vështirë ta arsyetojnë rritjen/zgjerimin e territorit të Malit të Zi, kur dihet se demarkimet e kufirit të Malit të Zi me shtetet e tjera kanë përfunduar pa asnjë problem, ndërsa ndarja nga Serbia është bërë sipas marrëveshjes dhe pa asnjë fërkim territorial”, ka potencuar Bulliqi.


Ndërsa profesori tjetër i këtij Departamenti, Florim Isufi, ka thënë se grupi i ekspertëve gjatë matjes së territorit të Malit të Zi ka përdorur hartat zyrtare të këtij shteti që, sipas tij, janë tepër të sakta.

“Këtë e kemi bërë në mënyrë shkencore me materialet publike zyrtare (harta zyrtare) tepër të sakta me Malin e Zi”, ka theksuar Isufi. Ai gjithashtu ka thënë se në bazë të këtyre fakteve kufiri është në Çakorr dhe se Bjelluha është brenda Kosovës.