Demarkacioni kthehet në mars, opozita s’dorëzohet
Qeveria ka vendosur që Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi ta riprocedojë në Kuvend muajin tjetër, pasi ka përfunduar punën Komisioni për Matjen e Territorit, përderisa partitë opozitare paralajmërojnë kundërshtimin
Marrëveshja për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi do të kthehet në votim para deputetëve në muajin mars (muajin e ardhshëm), pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të opozitës.
Ky vendim ka ardhur pas konstatimit të Komisionit për Matjen e Territorit, sipas të cilit, Kosova nuk humb territor me këtë Marrëveshje.
Pavarësisht të të gjeturave të këtij Komisioni, qëndrimet e opozitës kundër Marrëveshjes mbeten të palëkundura.
Në anën tjetër, analistët politikë në vend shprehen skeptikë nëse opozita do të ndërrojë mendje sa i përket çështjes së kufijve.
Politologët duke e vlerësuar vendimin e Komisionit si të pritur theksojnë se çështja e demarkacionit ka mbetur aty ku ka qenë - pa asnjë risi në të. Në ekzekutivin e vendit bëjnë të ditur se ditëve në vijim do të vendoset për kthimin e Demarkacionit.
Ymeri: Kthimi i Demarkacionit do ta thellojë krizën
Subjekti opozitar më i madh në vend, Lëvizja “Vetëvendosje” (LVV), është shprehur e indinjuar nga konstatimi i Komisionit për Matjen e Territorit dhe ka bërë me dije se do të vazhdojnë kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje brenda dhe jashtë Kuvendit.
Madje kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje e ka paralajmëruar i pari i këtij subjekti, Visar Ymeri.
“Imponimi me dhunë i kësaj Marrëveshjeje për Demarkacion vetëm sa e thellon krizën politike dhe e rrit pakënaqësinë e qytetarëve. Mënyra sesi po sillet Qeveria nuk ka të bëjë fare me demokracinë, e cila funksionon me bindje, por me autokracinë kriminale, e cila funksionon me forcë”, ka thënë Ymeri.
Kreu i LVV-së i ka bërë thirrje pushtetit të reflektojë sa i përket marrjes së vendimit për faljen e territorit, siç e quan ai.
“As mos e çoni nëpër mend ta shisni a ta dhuroni Kosovën. Ajo s'është as e pushtetit e as e opozitës. Thirrini mendjes”, ka potencuar Ymeri.
Sipas tij, dikush ka lobuar që Kosovës t’i vihet mbi supe edhe ky kusht për liberalizim.
“Mesa duket dikush ka bërë lobim që Kosovës t'i vihet edhe ky kusht, që të vështirësohet argumenti opozitar. Por sa veta do të ishin në gjendje të falnin shtëpinë e tyre e të mbesnin të pastrehë në këmbim të liberalizimit të vizave? Kjo do të ishte e padrejtë”, ka thënë Ymeri.
Ai ka theksuar se sa e duan barazinë, njëlloj e duan edhe lëvizjen e lirë.
“Ne vizat i duam sepse duam të jemi të barabartë me të tjerët dhe t’i gëzojmë të drejtat e liritë e barabarta me të tjerët. Thelbi i të qenit evropian është kusht e standard i barabartë ligjor e kontraktual. Nuk bën të pranojmë standarde të dyfishta”, ka përfunduar Ymeri.
Lekaj: AAK-ja nuk lëkundet
Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerësojnë se mbesin prapa qëndrimeve të mëparshme sa i përket Marrëveshjes së Demarkacionit.
Shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti, Pal Lekaj, konsideron se konstatimi i Komisionit vetëm sa ua ka forcuar atyre bindjen për mosvotim të Marrëveshjes për Kufirin.
“Konstatimet e sotme të saj vetëm sa na e forcojnë bindjen për ta rritur kundërshtimin ndaj kësaj marrëveshjeje, e kundër kësaj Qeverie e cila sa ma parë që shkon nga qeverisja, aq më mirë do të jetë edhe për kufijtë e Kosovës, edhe për qytetarët brenda”, ka thënë Lekaj.
Më tej ai rikonstaton se Marrëveshja për Demarkim të Kufijve është e dëmshme dhe e tillë do të mbetet.
“Marrëveshja si e tillë është e dëmshme, si para matjes, si pas saj do të mbetet e njëjtë për neve dhe përgjigjen do ta ketë si edhe më parë”, ka thënë Lekaj.
Sipas tij, takimi i sotëm i Komisionit për Matjen e Territorit ishte aventurë e qeverisë “Mustafa”.
“Ajo çfarë u zhvillua sot në ambientet e Qeverisë së Kosovës ishte një aventurë e radhës e qeverisë ‘Mustafa’ dhe e z. Islamit me shokë”, ka përfunduar Lekaj.
Analistët: Opozita nuk ndryshon qëndrim
Njohësi i çështjeve politike, Krenar Shala, mendon se ndryshimi i mendjes nga opozita karshi Marrëveshjes për Demarkacionin do të ishte fatale.
“Mendoj që ndryshimi i mendjes nga opozita do të ishte fatale jo vetëm për atë politikisht, por dhe për qytetarët të cilët shpresojnë se një ditë do të ndërrohet pushteti”, ka thënë Shala, duke e vlerësuar si të pritur konstatimin e Komisionit për Matjen e Territorit.
“Konstatimi i Komisionit për Matjen e Territorit nuk ishte i papritur duke e ditur që vendimi i Qeverisë për të bërë matjen është bërë në baza për konsum politik”, ka përfunduar ai.
Në anën tjetër, analisti politik vlerëson se opozita nuk do ta pranojë vlerësimin e Komisionit.
“Komisioni nuk është krijuar për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit, por vetëm për të konfirmuar versionin aktual të Demarkacionit. Opozita nuk do ta pranojë këtë vlerësim sepse nuk ka ndërruar asgjë në thelb”, ka thënë ai.
Ndryshe, edhe Mushkolaj ndan mendimin e njëjtë si me të Shalës sa i përket konstatimit të Komisionit për Matjen e Territorit.
“Konstatimi i tillë i Komisionit ka qenë i pritshëm. Do të befasohesha nëse ky Komision do të dilte me ndonjë tjetër përfundim”, ka përfunduar Mushkolaj.
As politologu Ramush Tahiri nuk beson se opozita do të ndërrojë mendje për Marrëveshjen e qëndrimit për Matjen e Kufirit.
“Opozita ka qëndrime politike dhe deri tash kur ka dalë me të gjetura, që do të ishin të pranuara nga institucionet dhe nga ekspertët ndërkombëtarë të fushës, nuk besoj se do të ndërrojë qëndrim për kufirin e as që do të heqë dorë nga agjenda e saj”, ka thënë Tahiri.