Maxhuni: Trenin e ndalën institucionet e Kosovës

Aktuale February 14, 2017 - 07:53

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka thënë se hyrja e njerëzve të armatosur e me uniformë në veri të vendit ka qenë legale pasi, siç ka deklaruar ai, ata kanë qenë pjesë një organizate joqeveritare.

Kështu ka deklaruar Maxhuni në raportimin e tij para deputetëve të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Drejtori i PK-së, duke sqaruar situatën e krijuar në veri, ka thënë se personat kanë qenë duke ushtruar në kuadër të organizatës që ata veprojnë. “Personat janë në OJQ-në ‘Airsoft Club’, aktiviteti i tyre ka qenë ‘Operation Fenix Kosovo 2016’’’, ka thënë ai.

Sipas Maxhunit, emri mbi të cilin është e regjistruar organizata nuk figuron në sistemin e Policisë së Kosovës, që i bie se themeluesit e kësaj organizate nuk kanë të kaluar kriminale. “Organizata operon në veri të Mitrovicës, del se ky person nuk është i regjistruar në sistemin e policisë së Kosovës si person që ka rënë ndesh me procedura ligjore”, ka thënë drejtori i PK-së. Tutje, Maxhuni thekson se të gjithë anëtarët e “Airsoft Club” janë banorë të Kosovës. “Janë banorë të Kosovës, ata janë nga Mitrovica Veriore të gjithë”, ka potencuar ai.

Ndryshe, Maxhuni tregon se organizata është e regjistruar edhe në Ministrinë e Pushtetit Lokal.

“Kjo organizatë është në MAPL, ka numrin fiskal. Nga informacionet e verifikuara njësitet e Policisë kanë konstatuar se pajisjet që përdorën janë pajisje që janë blerë në një dyqan në Prishtinë. Uniformat pra që janë bërë publike, dhe janë në pronësi të secilit person. Kemi specializuar dhe kemi parë që duken si armë, por që nuk shërbejnë si armë zjarri”, ka sqaruar ai.

Siç njofton Maxhuni, aktiviteti i kësaj organizate është mbajtur në gusht të vitit 2016, dhe sipas tij, në këtë ngjarje kanë qenë të pranishëm dy policë të Kosovës.

“Aktiviteti është mbajtur gjatë muajit gusht të vitit 2016. Kanë qenë dy policë që kanë qenë të autorizuar ta monitorojnë aktivitetin, dokumenti me vulën e  Kosovës. Ai dokument ka qenë njoftues i asaj organizate”, ka shtuar Maxhuni.

Në anën tjetër, gjatë raportimit drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, theksoi se urdhrin për ndaljen e trenit propagandues serb e kanë dhënë krerët institucionalë të Kosovës.

Kurse sipas tij urdhrin për shkuarjen e PK-së në veri e ka dhënë drejtori i PK-së. /ZËRI/