Emërohen 19 gjykatësit e Speciales
Dje edhe zyrtarisht janë emëruar 19 gjykatësit e Gjykatës Speciale për Kosovën, e cila pritet t’i hetojë krimet e supozuara të UÇK-së. Tani akuzat e para pritet të ngrihen brenda katër muajve. Presidentja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, është zotuar për administrim të drejtësisë në mënyrë të drejtë dhe efikase
Shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulo, ka emëruar dje edhe zyrtarisht 19 gjykatës në regjistrin e gjykatësve ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara. Këto emërime Papadopoulo i ka bërë në bazë të rekomandimeve të Komisionit Përzgjedhës të Pavarur. Aty përfshihen posti i nënkryetarit dhe postet e katër gjykatësve të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykatësit e emëruar do të jenë fizikisht të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara vetëm me kërkesë të kryetarit për ushtrimin e detyrave që diktojnë praninë e tyre. Kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, me këtë rast ka thënë se secili prej gjykatësve do të japë një kontribut të shquar në realizimin e mandatit në administrimin e drejtësisë në mënyrë të drejtë dhe efikase.
Në anën tjetër zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Avis Benes, ka thënë për “Zërin” se prioritet ka përgatitjen e seancës plenare me gjyqtarët, ku ata do t’i adaptojnë Rregullat e Procedurës dhe të Evidencave si një prej dokumenteve kryesore të Gjykatës.
Më së shumti gjykatës nga Gjermania
Në listën prej 19 gjykatësve të emëruar nga shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulo, 4 prej tyre janë nga Gjermania, rrjedhimisht më së shumti nga të gjitha vendet e tjera. Dy janë nga Holanda, dy nga Franca dhe po aq nga Italia, ndërsa të tjerët janë nga Britania e Madhe, Irlanda, Norvegjia, Zvicra, Çekia, Estonia, Kanada, Belgjika dhe nga SHBA-ja.
Pas emërimit të gjykatësve kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se do të bëjnë gjithçka që drejtësia të realizohet në mënyrë të drejtë dhe efikase. “Përshëndes emërimin e juristëve me kualifikime të tilla të larta. Secili prej tyre pa dyshim që do të japë një kontribut të shquar në realizimin e mandatit tonë të administrimit të drejtësisë në mënyrë të drejtë dhe efikase”, ka thënë Trendafilova. Ajo ka nënvizuar se hapi i ardhshëm do të jetë seanca e parë plenare, të cilën ajo do ta thërrasë së shpejti. “Unë do ta thërras së shpejti seancën e parë plenare, gjatë së cilës do të miratohet Rregullorja e Procedurës dhe e Provave të Dhomave të Specializuara që rregullon kryerjen e procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara”, ka përfunduar kryetarja Trendafilova.
Zëdhënësja e Speciales, Avis Benes, ka konfirmuar për “Zërin” dite me pare se tani detyra e presidentes, Ekaterina Trendafilova, do të jetë përgatitja e seancës plenare me gjyqtarët.
“Tani presidentja Trendafilova prioritet ka përgatitjen e seancës plenare me gjyqtarë”, ka thënë Benes. Benes më tutje ka zbuluar se edhe cila do të jetë puna e parë që do t’u caktohet gjyqtarëve. “Gjykatësit tani do t’i adaptojnë Rregullat e Procedurës dhe të Evidencave si një prej dokumenteve kryesore të Gjykatës, duke mundësuar kështu kryerjen e proceseve gjyqësore para Dhomave të Veçanta. Pas kësaj, RPE-ja duhet t'i referohet Dhomës Speciale të Gjykatës Kushtetuese, e cila do t’i ketë 30 ditë afat për t’i shqyrtuar ato”, ka përfunduar Benes.
Lista e plotë e gjyqtarëve:
1. Keith Raynor (nënkryetar), Britani e Madhe;
2. Roland Dekkers (Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese), Holandë;
3. Anne Power-Forde (Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese), Irlandë;
4. Vidar Stensland (Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese), Norvegji;
5. Antonio Balsamo (Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese) gjykatës zëvendësues, Itali;
6. Kai Ambos, Gjermani;
7. Christoph Barthe, Gjermani;
8. Michael Bohlander, Gjermani;
9. Emilio Gatti, Itali;
10. Nicolas Guillou, Francë;
11. Thomas Laker, Gjermani;
12. Guénawl Mettraux, Zvicër;
13. Vladimir Mikula, Republika Çeke;
14. Andres Parmas, Estoni;
15. Michèle Picard, Francë;
16. Kenneth Roberts, Kanada;
17. Charles Smith III, Shtetet e Bashkuara të Amerikës;
18. Mappie Veldt-Foglia, Holandë;
19. Christine van der Wyngaert, Belgjikë.