Marsh kundër gjuhës së politikanëve ndaj grave
Edhe Kosova i bashkohet sot marshit botëror “Gratë Marshojnë”, i cili në Prishtinë po organizohet nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës. Nëpërmjet këtij marshi, ky rrjet i grave dënon përdorimin e gjuhës seksiste dhe denigruese ndaj grave nga politikanët kosovarë.
Këto marshe të organizuara në tërë botën, janë marshe solidariteti të inspiruara nga “Gratë Marshojnë” në Ëashington, për t’iu bashkuar iniciativës të quajtur “Marshi i Grave Botëror”.
“Edhe Kosova ende ballafaqohet me persona në pozitë të cilët vazhdojnë të përdorin gjuhë seksiste dhe denigruese ndaj grave. Përmes këtij marshi, RrGGK dënon rëndë përdorimin e gjuhës së tillë nga politikanët kosovarë, veçanërisht gjuhën ofenduese të përdorur së fundi ndaj Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe ndaj zëvendëskryetares së Parlamentit të Republikës së Kosovës, Aida Dërguti. Liderët dhe politikanët, si përfaqësues të denjë të qytetarëve të Kosovës, duhet të jenë shembull i barazisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Andaj iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen me ne në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne nuk do të ndalemi deri sa të gjitha gratë të gëzojnë barazi dhe harmoni në të gjitha nivelet e udhëheqjes në shoqëri. Të bashkuar, ne duhet të punojmë në mënyrë paqësore duke qenë të vetëdijshëm që nuk ka paqe të vërtetë pa drejtësi dhe barazi për të gjithë”, thuhet në komunikatën RrGGK.
Mbi treqind organizime të marsheve të tilla në 80 qytete nga 40 shtete të botës, do t’i bashkohen kësaj iniciaive.
Gratë Marshojnë u krijua si nevojë për të adresuar ofendimet, demonizimet, si dhe kërcënimet që u bënë gjatë ciklit të fushatës elektorale ndaj imigrantëve, myslimanëve, njerëzve me ngjyrë, me paaftësi, LGBTI, dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale. Përmes këtyre marsheve, do të ipet një mesazh i qartë për qeverinë e re të SHBA-ve dhe gjithë botën, që të drejtat e grave janë të drejta të njeriut.
Marshi fillon në ora 11:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.