Destani: Arrestimi i Haradinajt absurd

Aktuale January 06, 2017 - 23:54

Edhe pronari i ‘Ecolog’, Lazim Destani, ka reaguar pas arrestimi të liderit të AAK-së Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze.

Ai përmes një postimi në rrjetin e tij zyrtarë “facebook”, ka thënë se arrestimi i Ramush Haradinajt është një akt absurd dhe irritues për çdo Shqiptarë, duke shtuar se beson se drejtësia franceze do ta rishikojë shumë shpejt këtë veprim, siç thotë ai të nxituar dhe se Haradinaj do të lirohet shumë shpejt, transmeton “Zeri.info”.

Po ashtu Destani ka thënë se Kosova dhe qytetarët e saj ishin viktima dhe jo agresori, në vend që agresori, siç thotë ai, të japë llogari akoma vazhdon ta pësojë viktima.

Ky është postimi i plotë i Destanit:

Lajmi i pakëndshëm mbi arrestimin e Ramush Haradinajt është një akt absurd dhe irritues për çdo shqiptar. Akti i këtillë është aq më shumë i pakuptimtë për faktin që arrestimi i Haradinajt kryhet nga autoritetet franceze, pra një vend në zemër të Europës dhe që e ka njohur Kosovën. Jam i bindur se drejtësia franceze do ta rishikojë shumë shpejt këtë veprim gjithsesi të nxituar dhe nuk ka se si të ketë epilog tjetër përveçse lirimi i Ramush Haradinajt, njeriut që dha prova pafajsie dhe u shpall i pafajshëm edhe nga Tribunali i Hagës.

Le të jetë ky, rasti i fundit nga shumë të këtillë të inicuar padrejtësisht dhe pa dëshmi nga Serbia ndaj personaliteteve të Republikës së Kosovës. Kosova dhe qytetarët e saj ishin viktima dhe jo agresori, në vend që agresori të japë llogari akoma vazhdon ta pësojë viktima. Ndoshta është momenti i fundit kur të gjitha marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë të formatizohen ndryshe, deri te reciprociteti i plotë si dy shtete sovrane.