Lunacek: Aleanca me politikanë të korruptuar të Ballkanit e rrezikshme

Aktuale December 13, 2016 - 21:34

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek deklaron se aleancat e Brukselit me pushtetarë të korruptuar të Ballkanit për hir të stabilitetit është e rrezikshme.

Gjatë një interviste për gazetën austriake “Wiener Zeitung”, ajo deklaron se Bashkimi Evropian nuk duhet të bëjë të njëjtat gabime siç ka bërë me shtetet e Afrikës Veriore.

Politikania nga radhët e të Gjelbërve të Austrisë, ajo kritikoi qëndrimin e ministrit të Jashtëm austriak Sebastian Kurz, i cili ka mbështetur politikanë në Ballkan si kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski me synim mbylljen e shtegut të refugjatëve.

" Në politikën e tij të deritanishme ndaj Ballkanit, Kurz ka ndjekur vetëm një interes; mbylljen e shtegut për refugjatët. Ambasadat austriake në rajon dhe Agjencia Austriake për Zhvillim po kryejnë punë të mira, por ato marrin mbështetjen e ministrit të Jashtëm vetëm kur është fjala për bllokimin e refugjatëve.Në disa pjesë të Ballkanit, unë shoh tendencën që të bëhen të njëjtat gabime siç janë bërë në marrëdhënien e BE-së ndaj diktaturave të Afrikës Veriore para Pranverës Arabe.Vendet e Ballkanit nuk janë diktatura, por ekzistojnë tendenca për t’i përkrahur ata politikanë, me të cilët jemi adaptuar tashmë – edhe pse ata nuk i respektojnë premtimet e tyre sa i përket sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave. Në bisedë me Komisionin e BE-së dhe me Shërbimin e Jashtëm Evropian, unë kërkoj vazhdimisht që BE dhe shtetet anëtare të mos i japin përparësi stabilitetit para zhvillimeve demokratike. Kjo ka dështuar edhe në pjesë të tjera të botës. Iluzioni se ne mund të bëjmë përherë biznes me pushtetarë, të cilët na thonë se garantojnë stabilitet, nuk funksionon. Duhet të koncentrohemi në demokraci dhe sundim të ligjit", ka thënë Lunacek. 

E pyetur për zgjedhjet në Maqedoninë dhe fitimin e zgjedhjeve nga VMRO-DPMNE, parti që ka qeverisur vendin vitet e fundit, Lunacek tha se ky shtet është duke u shndërruar në problem për Ballkanin dhe BE-në.

Arsyeja e parë sipas saj, është çështja e emrit, duke shtuar se kishte kërkuar që BE-ja të bënte më shumë presion ndaj Athinës për të gjetur një zgjidhje.

Lunacek tha se BE-ja duke e përafruar këtë vend, do të pengojë politika ultra nacionalsite të Nikola Gruevskit.

Ajo tha se qeveritë e Ballkanit duhet të angazhohen për më shumë progres s’e çka pasur deri më tani, në lidhje me sundimin e ligjit, lirinë e medias, pakicat dhe të drejtat e grave.