BE: Muri, pjesë e projektit!

Aktuale December 10, 2016 - 07:47

Muri në afërsi të urës së Ibrit në veri të Mitrovicës është pjesë e projektit për rivitalizimin e urës dhe do të lidhë unazën e asaj rruge me zonën e këmbësorëve. Kjo është bërë e ditur nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët kanë thënë se në fakt ai nuk do të jetë mur, por shkallë që do të mundësojë lëvizjen e qytetarëve nga njëra anë në tjetrën.

Ndërsa, përfaqësuesit e institucioneve të vendit ende nuk kanë qëndrim të prerë rreth kësaj çështjeje. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka dërguar inspektorët e saj, të cilët kanë bërë matjet dhe është bërë prerje e një pjese të murit, por nuk e kanë rrënuar atë.

Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësueses së Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, ka thënë se muri që u ndërtua afër urës së Ibrit në Mitrovicë, do të lidhë unazën me zonën e këmbësorëve.

“Nuk do të jetë mur, por një shkallë që lidhë unazën me zonën e këmbësorëve. Gjatë bisedimeve të djeshme palët ranë dakord se do të ngrihen shkallët që sigurojnë lirinë e lëvizjes nga njëra anë në tjetrën”, ka deklaruar Kocijancic.

Kurse ministrja për dialog, Edita Tahiri ka thënë se tani është momenti për të punuar që të zbatohet marrëveshja për rivitalizimin e urës së Ibrit dhe që shkeljet që janë bërë të korrigjohen.

“Tani nuk është momenti për të folur, por për të punuar që marrëveshja të zbatohet dhe shkeljet që u bënë të korrigjohen”, ka thënë Tahiri për “Zërin”.

Ajo po ashtu ka thënë se gjithçka do të jetë sipas marrëveshjes së Brukselit.

Ndërsa, kryetari i Komunës Jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se ndërtimi i murit në atë pjesë as nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë pjesë e projektit. Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien në provokime, duke i garantuar se do të zbatohet marrëveshja e Brukselit.

“As nuk ka qenë pjesë e projektit të Brukselit dhe as nuk do të jetë pjesë e projektit të Brukselit, por do të jetë një shesh dhe një rreth-rrotullim evropian. Do të jetë një qytet i bashkuar, një qytet i të gjithë qytetarëve dhe nuk do të kemi asnjë problem. Sigurisht se gjithçka që jemi marrë vesh do të realizohet”, është shprehur Bahtiri.

 “Vetëvendosje” e AAK kërkojnë interpelancë

Lëvizja “Vetëvendosje” ka bërë kërkesë që të thirret interpelancë për kryeministrin, Isa Mustafa lidhur me ndërtimin e atij muri në veri të vendit, duke e konsideruar Qeverinë përgjegjësen kryesore në këtë rast.

Kjo është bërë e ditur nga shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se negociatat me Serbinë po rezultojnë me ndarjen e veriut me muri.

“Premtimet nga Qeveria e Kosovës që përmes negociatave do të ndryshohet situata në veriun e Mitrovicës, rezultuan me murin që po ndan qytetin. Nga negociatat e Brukselit as nuk u bë shtrirja e sovranitetit dhe bashkimi i Mitrovicës, e as nuk pati avancim në integrimet evropiane”, ka potencuar Konjufca.

Edhe Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme dhe ka thirrur në interpelancë kryeministrin e vendit.

Asamblistët e veriut, të shqetësuar

Ndërtimi i murit pak metra larg urës së lumit Ibër, nga serbët e pjesës veriore, i ka shqetësuar edhe dy asamblistët e komuniteteve jo serbë të cilët janë pjesë e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Asamblisti nga radhët e AAK-së, Gëzim Alushi,  ka thënë se ky ndërtim ka për qëllim destabilizimin e gjendjes në këtë pjesë.

“Ndërtimin i këtij muri nuk e vlerësojmë se është një gjest i mirë, për ne kjo ka qenë mjaft shqetësuese dhe destabilizuese. Ne e kemi ditur se shëtitorja është duke u rregulluar por jo edhe muri, kjo doli tash këtu se edhe një mur po vendoset. Është duke u bërë rivitalizimi i urës dhe janë duke punuar, për neve ka qenë kënaqësi që janë larguar barrikadat, janë larguar pengesat në mënyrë që komuniteti jo shumicë dhe ai serb në këtë pjesë të lëvizin lirshëm në të dyja anët e lumit Ibër”, ka deklaruar Alushi

Ai e ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor për t’i ndërprerë punimet në këtë pjesë. “Shpresojmë që kjo do të largohet pa asnjë pengesë, mirëpo, në qoftë se është projekt i BE-së, atëherë duhet ta dinë të gjithë qytetarët”, ka thënë në fund Alushi

Edhe asamblisti nga komuniteti boshnjak i pjesës veriore të Mitrovicës, Nexhat Ugljanin, është shprehur i shqetësuar me ndërtimin i këtij muri duke kërkuar nga Ministria dhe BE-ja që të marrin masa.