Shqiptarët në Ballkan s’janë një!
Shqiptarët ende nuk po mund të faktorizohen mjaftueshëm në Ballkan për shkak të mungesës së unitetit ndërmjet subjekteve politike, si dhe për shkak të bajraktarizmit të liderëve politikë në të gjitha trojet shqiptare. Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike, të cilët shprehin shqetësimin e tyre për gjendjen e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës. Sipas tyre, Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të jenë më aktive për t’i zgjidhur problemet e shqiptarëve që jetojnë jashtë këtyre dy shteteve.
Politologu, Belul Beqaj, ka thënë për “Zërin” se gjendja e shqiptarëve aktualisht është e paartikuluar qartë sa i përket mundësisë së faktorizimit të tyre në Ballkan. Sipas tij, shansin që e patëm me shpërbërjen e sistemit socialist dhe rënies së Murit të Berlinit shqiptarët nuk janë duke e shfrytëzuar në përputhje me kontekstin e favorshëm të rrethanave.
“Arsyeja kryesisht ndërlidhet me bajraktarizmin dhe egoizmin e lidershipit që ka penguar krijimin e një vizioni unik në frymën e kërkesave të kohës që destinacion politik kanë vlerat Perëndimore, pa injoruar edhe bashkëpunimin me Turqinë. Mjerisht, një pjesë e korpusit shqiptar, veçmas të Maqedonisë dhe të Kosovës, kanë rënë nën ndikimin e frymës islamike që kurrë s’ka qenë veçori e shqiptarëve. Këtë po e shfrytëzojnë për qëllime propagandistike armiqtë dhe kundërshtarët e shqiptarëve. Kjo po e dëmton imazhin kombëtar”, ka vlerësuar Beqaj.
Më tej ai ka thënë se kanë ndodhur disa ngjarje historike në Shqipëri, që realisht duhet të jetë strumbullar i nxitjes së faktorizimit të shqiptarëve në Ballkan, siç është anëtarësimi në NATO, përafrimi në procesin e integrimit evropian…
“Njëherësh Shqipëria bukurinë e saj gjeografike, të reklamuar në nivele më të larta mediale botërore, po e dëmton me sjelljet politike, veçmas me shtrirjen e mentalitetit marihuanist dhe të korrupsionit. Kosova, pavarësisht MSA-së, është në teposhtën e rrezikshme për shkak të menaxhimit shumë të dobët të politikëbërjes dhe mbështetjes jo të arsyeshme të bashkësisë ndërkombëtare, e cila po bëhet bashkëpërgjegjëse për dështimet e saj. Natyrisht të gjitha këto po reflektohen edhe në shtetet tjera ku janë shqiptarët”, ka shtuar Beqaj, duke thënë se për këtë arsye nuk është çudi pse shqiptarët e Luginës nuk munden as të furnizohen me librat në gjuhën shqipe, ndërsa shqiptarët e Kosovës nuk po mund as ta ngrenë flamurin e shtetit (në Brezovicë), apo ministrin e Qeverisë së Kosovës ta dërgojnë deri në caqe (Leposaviq), ku i kanë paramenduar për shkak të serbëve të Kosovës, të cilët në disa raste, sipas Beqajt, po tregohen më të fuqishëm se Qeveria.
Mehmedi: Maqedonia duhet të federalizohet
Kurse njohësi i rrethanave politike në Maqedoni, Qani Mehmedi, ka thënë se për fat të keq faktori politik shqiptar atje nuk po arrin ta konsolidojë çështjen e shqiptarëve në këtë shtet. Sipas tij, megjithëse nuk mund të thuhet se shqiptarët në Maqedoni nuk kanë ecur, edhe sot e kësaj dite ata kanë mbetur qiraxhinj në shtëpinë e vet.
Mehmedi ka thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni janë shumë të rëndësishme, sepse do të shihet nëse shqiptarët do ta shpërndajnë votën e tyre apo jo.
“Shfrytëzoj rastin t’u bëjë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë, pasi nuk jam anëtar i asnjë partie, që të vendosin se kujt duhet t’ia japin votën dhe prej tij të kërkojnë llogari dhe jo të shpërndahen votat e mandej të kërkojnë përgjegjësi nga të gjithë e në të vërtetë të mos kenë përgjegjësi nga askush”, është shprehur Mehmedi.
Ai më tej ka thënë se shqiptarët në Maqedoni nuk e meritojnë gjendjen në të cilën jetojnë. “Ata domosdo duhet të kenë një status të tyre juridiko-politik dhe statusi më i afërt është federalizmi i Maqedonisë, i pëlqej kjo dikujt apo nuk i pëlqej, apo së paku kontonizimi. Sot shqiptarët në Maqedoni kontribuojnë me 50% në buxhetin shtetëror, kurse u kthehet vetëm në 2 deri në 4%. A ka diskriminim më të madh se ky”, ka potencuar Mehmedi.
Por, ai ka theksuar nevojën e angazhimit të të gjithë shqiptarëve për konsolidimin e çështjes shqiptare në Maqedoni.
“Konsideroj se shqiptarët në përgjithësi, pra edhe Prishtinën zyrtare edhe Tiranën zyrtare ashtu edhe shqiptarët në Maqedoni i pret një betejë e madhe, e fortë si ajo e Kosovës, i pret një betejë e bashkimit për zgjidhjen e një çështjeje madhore, siç është çështja madhore e shqiptarëve të Maqedonisë. Ka sinjale se një ditë kjo do të vijë, pra do të zgjidhet edhe një çështje e madhe e kombit shqiptar. Pa shqiptarët e Maqedonisë nuk ka komb të konsoliduar shqiptar”, ka shtuar Mehmedi, duke thënë se për fat të keq beson se nuk do të ketë unifikim të subjekteve politike shqiptare në Maqedoni, ashtu siç ndodhi edhe në zgjedhjet në Malin e Zi.
Lugina e Preshevës e neglizhuar nga Serbia, Kosova e Shqipëria
Kurse njohësi i rrethanave politike në Luginën e Preshevës, Belgzim Kamberi, ka thënë se gjendja e shqiptarëve në atë pjesë është e qetë, por pa përmirësime. Ai ka thënë se me gjithë përpjekjet për t’u paraqitur si qeveri e “moderuar” dhe “pro-evropiane”, edhe kjo përbërje e qeverisë së Serbisë nuk po tregon në praktikë vullnet për të ndërmarrë veprime dhe vendime për t’i zgjidhur problemet jetike të shqiptarëve të Luginës, sidomos në fushën e të drejtave kolektive-kombëtare.
“Lugina e Preshevës mbetet ende e ‘getoizuar’ nga njësi të forcave speciale të policisë dhe me pjesëtarë të ushtrisë serbe, që në njërën anë e vështirësojnë në mënyrë direkte qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave; teksa në anën tjetër ndikojnë në mënyrë indirekte në shpopullimin e popullatës dhe në pazhvillueshmërinë ekonomike. Papunësia si pasojë e diskriminimit shtetëror mbetet proporcionalisht më e larta në Serbi”, është shprehur Kamberi.
Ai gjithashtu ka theksuar faktin që nuk janë zgjidhur problemet në fushën e arsimit, çështja e përdorimit të simboleve kombëtare, çështja e përdorimit të gjuhës shqipe dhe problemet tjera.
“Përpos diskriminimit shtetëror; në tkurrjen e tyre graduale dhe të heshtur po ndikon edhe neglizhenca e Shqipërisë dhe e Kosovës zyrtare, si dhe mungesa e një organizimi më cilësor dhe të një veprimi më efikas të tyre politik dhe shoqëror në Luginën e Preshevës”, ka thënë më tej Kamberi.