'Astrit Dehari, rasti më i rëndë që i ndodhi Kosovës'

'Astrit Dehari, rasti më i rëndë që i ndodhi Kosovës'

Aktuale nëntor 09, 2016 - 22:51

Vdekja e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, po cilësohet nga analisti Petrit Zogaj, si gjëja më e rëndë që i ka ndodhur Kosovës gjatë periudhës së pasluftës.

Gjatë debatit në emisionin Zona B në Klan Kosova, Zogaj i konsideron përgjegjës institucionet e vendit, nga Presidenti Hashim Thaçi e deri te zyrtari i fundit i burgut.

“Astrit Dehari prej që kemi shtete dhe institucione është rasti më i rëndë që ka ndodhur. Ende nuk ka nj konfirmim final se si ka ndodhur kjo. Besoj se për Astritin, një pjesë e shtetit, prokuroria ka besuar se ai është nj terrorist potencial. Prej kur është arrestuar është mbajtur 24 orë nën përkujdesje të shtetit, pasi është parë si i rrezikshëm. Gjithçka këtu përfundon në duar të shtetit. Prej presidenti deri te gardiani që ka qenë aty është përgjegjës për këtë vdekje”, ka deklaruar Zogaj.

Ai thotë se pret që zyrtarët kompetentë sidomos politikanët te dorëhiqen pas këtij rasti.

“Do të prisja një dorëheqje prej njerëzve në politikë. Është dashur të kërkohet llogari, penale, morale juridike. Shteti nuk po na jep nëse është vdekje, vrasje apo diçka tjetër. Ne kemi një shtet ku një 26 vjeçar është arrestuar për terrorizëm dhe nuk ka kujdes mbi të. Prokuroria për dy muaj e gjysmë nuk ka arritur ta ndërtojë aktakuzën për rastin e tij”.